Shkup, 8 nëntor – Hadis Ramadani është eliminuar që në xhiron e parë në kuadër të kampionatit Botëror në kik-boks i cili po mbahet në Budapest të Hungarisë. Kik-boksieri nga Shkupi në xhiron e parë u takua me ukrainasin Sabre Jaroslav, por fati nuk ka qenë në anën e tij dhe me një diferencë prej tre pikëve pësoi disfatë.
Ndryshe, këtë humbje Ramadani nuk e ka pritur mirë, pasi synimet e tij por edhe stafit teknik të përfaqësueses së Maqedonisë, ishte që ai të fitojë medalje, por ja që parashikimet e tij nuk u realizuan dhe në fund ai u desh të pajtohet me disfatë.
“Humba për tre pikë. Jam shumë i dëshpëruar, pasi siç thash humba për tre pikë. Me dy apo tre goditje eventuale kundrejt ukrainasit, do ta kisha fituar luftën. Dëshpërimi është edhe më i madh duke marr parasysh se në xhiron e dytë do të kisha kundërshtar më të lehtë i cili është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi për gazetën KOHA, nga Budapesti, Hadis Ramadani.
Në KB pritet të luftojë edhe Jetmir Emruli, i cili në kategorinë deri -75 kg do të përballet me kroatin Bruno Ninçeviq. (B.K.)