Shkup, 24 janar – Zekirija Ramadani dhe KF Prishtina janë fituese të Superkupës së Kosovës në futboll. “Plisat” mposhtën Dritën e trajnerit tjetër nga Shkupi, Ardian Nuhiu me rezultat 3:1 në ndeshjen e cila u zhvillua në Antalia të Turqisë. Qysh në minutën e tretë, Qëndrim Zyba realizoi me kokë për epërsinë e parë të “Plisave”. Dritës iu nevojitën vetëm pesë minuta për t’u kundërpërgjigjur me anë të Kastriot Rexhës. Ai realizoi gol të lehtë pas gabimit të portierit, Eglant Haxho. Në minutën e 21-të Besnik Krasniqi e riktheu epërsinë, duke e shndërruar në gol penaltinë. Më ndeshja nuk prodhoi gola deri në minutat shtesë, kur Alban Shillova e vulosi fitoren e Prishtinës në minutën e 90+2. Kjo është hera e 10-të që Prishtina e fiton Superkupën e Kosovës në futboll.
Pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani është shprehur i lumtur pasi arriti të fitojë trofeun e Superkupës së Kosovës. ”Vendosën 90 minuta, në pjesën e parë kishim iniciativë, pastaj në pjesën e dytë Drita pati iniciativën por ne rastet. Mendoj që ishte një finale e vërtetë. Këtë fitore ia dedikoj atyre që presin më së shumti trofe, ‘Plisave’”, deklaroi Ramadani.
Në anën tjetër trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë se futbollistët e tij duhet të mësojnë nga kjo disfatë. ”Ne rrezikuam pak më tepër për të barazuar por nuk patëm fat. Nga kjo humbje duhet të mësojmë shumë, duhet të përgatitemi në vazhdim. Mendoj se fusha dhe kushtet mundësuan që të kishim një ndeshje të mirë”, deklaroi Nuhiu.
Cekim, Superkupa e Kosovës u zhvillua për herën e parë jashtë territorit të Kosovës, me pajtim të të dyja klubeve, që po qëndrojnë në Turqi për përgatitje para stinorit pranveror. Prishtina e Drita do të takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” më 10 shkurt edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, në fazën e 1/8 së finales.