Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në median e tij sociale fjalën e plotë gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Fillimisht, Rama theksoi para udhëheqësve të Bashkimit Evropian se po të ishin thirrur për nisjen e negociatave, do i kishin mjaftuar 30 sekonda.
“Të paktën na duroni ca minuta më shumë, në respekt të durimit tonë shumëvjeçar karshi jush!”, vijoi Rama.
Më pas, kryeministri shqiptar u ndal te figura e presidentit francez Emmanuel Macron dhe sekretet “publike” të Francës.
“Që Franca kurrë nuk ka qenë një forcë entuziaste për zgjerimin e këtij Unioni, ky është një sekret gjerësisht publik”, shtoi Rama.
Sipas tij, presidentit francez i duhet të përpëlitet midis shpirtit të tij tejet europian dhe kostumit presidencial të një vendi, ku të gjesh entuziazëm për zgjerimin e BE-së është njësoj si të gjesh ujë në shkretëtirën e Arabisë Saudite.
Megjithatë, falë Macron-it, nënvizoi kreu i qeverisë, kemi, së paku, mundësinë të flasim për një objektiv të dëshirueshëm moralisht, të mençur politikisht dhe të rëndësishëm strategjikisht: Komunitetin e ri Politik Evropian.
Kjo e fundit, për Ramën mund të marrë formën e një çatie të përbashkët evropiane, më e madhe sesa tavani i plasaritur i BE-së.
“Kam dëgjuar disa të thonë se kjo ide s’është serioze, se është një lloj tjetër djathi francez që na serviret si antipastë për të na mohuar pjatën e vërtetë. Kam dëgjuar të thuhet se mund të jetë madje edhe një ide e rrezikshme, pasi një i tillë komunitet politik mund të zëvendësojë vetë zgjerimin dhe ta asgjësojë atë”, tha më tej kryeministri.
Numri një i qeverisë shqiptare përmendi në tryezën ovale të samitit rrezikun që i kanoset Ballkanit Perëndimor nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Dhe pastaj thonë se Vladimir Putini është shumë i sëmurë! Vladimir Putini mund të jetë me të vërtetë i sëmurë ose edhe mund të mos jetë, por më lini t’ju them se kjo situata këtu nuk duket posaçërisht e shëndetshme. Agresori rus i Ukrainës po merr një ndihmë tejet bujare dhe madje të pakërkuar nga një vend i NATO-s, i cili po destabilizon një tjetër vend të NATO-s, duke nxitur më shumë mllef e pakënaqësi në një rajon si i yni, që ende mund të mos jetë pjesë e BE-së, por mbetet një pjesë e Europës, ku sot Vladimir Putini sheh pikërisht hallkën e dobët për të goditur më tej rendin europian. Më lini gjithashtu t’ju them se kjo është shumë larg asaj çka i duhet tani pjesës më të cenueshme të Europës, që quhet Ballkani Perëndimor”, vërejti Rama.
Të gjithë e dimë, u shpreh Rama, Bashkimi Evropian sot është në një krizë të thellë identiteti.
“Është koha të lëmë 100 lule të lulëzojnë, siç do të thoshte Kryetari Mao (Mao Tse Tung – AP). Natyrisht, disa mund të thonë me të drejtë se Mao i linte lulet të çelnin, që pastaj t’i këpuste pa mëshirë. Ne urojmë fort të mos kemi të njëjtin fat”, theksoi kryeministri shqiptar.
Ai ravijëzoi mbështetjen ndaj idesë së një Komuniteti të Ri Politik Evropian.
Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Rama i ka sjellë në vëmendje edhe pandeminë e COVID-19.
“Apo s’ju kujtohet si na e bëtë ju me pandeminë? Harruat të mendonit për vaksinimin e infermierëve dhe infermiereve tona! Dhe pasi flisni e flisni prej vitesh për influencën e Kinës, Rusisë apo Turqisë në Ballkan, po ku të shkonim t’i gjenim ne vaksinat kur ju na kthyet shpinën? Në hënë?”, parashtroi kryeministri.
Kreu i qeverisë shqiptare gjithashtu nuk harroi të përmendë Kosovën në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
“Shpresoj shumë, po ashtu, që, ndërkohë që pengmarrja e Bullgarisë është ende në veprim, situata e dhimbshme e pengmarrjes së Kosovës të marrë fund dhe popullata e vetme në Europë pa të drejtë të lëvizë lirisht jashtë vendit të vet, të marrë liberalizimin e shumëmerituar të vizave. Pa mendohuni njëherë! Ata mund të lëviznin të lirë kur ishin nën një diktaturë jugosllave. Ata mund të shkonin në Europë, të punonin në Europë, por tanimë nuk munden më, qyshkur çlirimtarët europianë të Kosovës morën nën kontroll fatin e lëvizjes së tyre”, kujtoi Rama.
Një mesazh ai e pati edhe për Serbinë dhe rëndësinë e saj në Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë situatë tejet të brishtë, na duhet të ecim me kujdes, pa përkeqësuar konfliktet. Serbia është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor, e Ballkanit të Hapur, e Proesit të Berlinit, e mozaikut të Komunitetit Politik Europian dhe një element shumë kyç për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Duhet shumë kujdes”, u shpreh Rama.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri shqiptar krahasoi euroskepticizmin me besimin e shqiptarëve ndaj unionit.
“Në vendet tuaja janë të paktë njerëzit që ende besojnë te BE-ja. Në Shqipëri, të gjithë i besojnë Europës. Edhe sot, të gjithë besojnë te BE-ja”, përmbylli kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.