Tiranë, 10 janar -Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ashpër, me fyerje dhe me fjalor aspak diplomatik, iu drejtua të gjithë atyre të cilët e mbështetën presidentin Ilir Meta në vendimin e tij që të mos e nënshkruajë dekretin për emërimin e kosovarit Gent Cakaj për ministër të ri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë.
Pas reagimit paraprak, në të cilin vendimin e Metës e vlerësoi si jo kushtetues dhe të turpshëm dhe kërkoi falje nga Kosova për “këtë turp”, Rama përsëri përmes rrjeteve sociale reagoi duke e akuzuar Metën se po nëpërkëmb një person të ri, të paktën 1000 herë më të mençur se ai”.
“Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X…Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës. Pupupu”, shkroi Rama në Tuiter.
Për këto akuza menjëherë reagoi presidenti Ilir Meta.
“Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të pakontestueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit derisa jam president i vendit tim”, iu përgjigj Meta Ramës përmes Tuiterit.
Rama e sulmoi edhe ish zëvendëskryeministren dhe ish negociatoren kryesore të Kosovës me Serbinë, Edita Tahiri, e cila e përshëndeti vendimin e Metës.
“Ah edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që përshëndesin vendimin e vizionarit IM! Ah çfarë llumi mllefi e terri që ‘vizionarët’ e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin! Genti e dashur Edita i meriton sulmet tuaja aq sa këta ‘vizionarë’ emrin njeri! Po ti xhan?”, shkroi Rama në Tuiter.
Edita Tahiri e ka përshëndetur këtë vendim, duke thënë se Cakaj e mbështet ndryshimin e kufijve të Kosovës.
“E përshëndes vendimin kombëtar dhe vizionar te presidentit te Shqipërisë në mbrojtje të kufijve të Kosovës. Ai sot nuk dekretoi një kandidat për ministër të jashtëm qe ishte pro prekjes se kufijve, të emëruar me qëllim dhe me djallëzi nga kryeministri Rama”, ka shkruar Tahiri.