Tiranë, 17 qershor – Rruga e Arbërit është një çështje kombëtare, deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar në Peshkopi, në ceremoninë e nisjes së punimeve të Rrugës së Arbrit.
Kryeministri Rama, transmeton ATSH, premtoi se “prej sot, Dibra do të jetë edhe më shumë edhe më mirë, një copë kraharor që rreh jetë dhe zhvillim, në Shqipëri”.
“Dibra që duam sot hap një faqe të re që do ta shkruajmë së bashku, me një vepër të madhe publike, një rrugë moderne me standarde eвropiane e vepra arti, e cila do ta bëjë Dibrën pjesë të metropolit shqiptar të së nesërmes dhe do të sjellë punësim e zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm, pas shumë dekadash izolim”, u shpreh Rama.
Ai gjithashtu, e konsideroi privilegj që të jetë sot në Dibër në muajin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
“Skënderbeun dhe besëlidhjen 140-vjeçare nuk deshëm dhe nuk duam t’i shohim e kremtojmë me daulle ceremonish. I deshëm për vendin, i dëshiruam fort për Dibrën tonë. I deshëm fort, me përparësi, aq sa pa ngurrim i identifikuam me ëndërr e përpjekje, me durim e me pune, për t’ia lidhur edhe më shumë brezit të kombit, me një vizion që do të jetë realitet dhe jo më mirazh: Rrugën e Arbrit!”, tha Rama.
Rruga e Arbërit, tha Rama, “do të ndjekë vijën e karvaneve që ka lidhur historikisht Dibrën me kryeqytetin”.
“Prej qafës së Murrës e asaj të Buallit, që lidh me bregdetin, grykës së Setës që të hedh në Shkodër, asaj të Radikës dhe të Drinit që hap Maqedoninë, Dibra gjithkaherë ka pasur vokacionin e një rrjeti komunikimesh mes bashkëkombasve dhe fqinjëve, gjithkaherë fatkeqësisht, të penguar e të vonuar, që nga pushtimet më të hershme e deri tek paudhësitë më të mbrame”, vijoi Rama.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e hapjes së ceremonisë së fillimit të punimeve, tha se kjo vizitë e kryeministrit Rama në Dibër ka mbledhur bashkë dibranët në këtë shesh për ëndrrën e madhe të rrugës së Arbërit.
“Sot, legjendës i ka ardhur fundi, rruga e Arbërit nuk është një dëshirë por përmbushja e një premtimi. Rruga e Arbërit është një premtim i mbajtur, është një rrugë strategjike, një aset kombëtar, që do të bashkojë shqiptarët”, tha Xhaçka.