Tiranë, 5 janar – Kryeministri Edi Rama, nesër do të realizoj vizitë dyditore zyrtare në Republikën e Turqisë. Gjatë vizitës, ai do të takohet me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Në takimet e planifikuara, Rama do të diskutojë me bashkëbiseduesit e tij për zhvillimet në rajon, si dhe marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve”, njofton televizioni “Ora Njuz”.
Sipas të njëjtit burim, pikërisht për këto tema, Rama gjatë ditës realizoi bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Dendias.
“Megjithëse Tirana zyrtare dhe Athina kanë rënë dakord të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e demarkacionit detar, ende nuk ka asnjë vendim se kur ta bëjnë këtë”, shtoi televizioni.
Rama, i cili konsiderohet si një mik i madh i Erdoganit, bëri vizitë të paparalajmëruar në Turqi, në shtator të vitit të kaluar për një takim me presidentin e shtetit turk, për të cilin Rama informoi personalisht në rrjetet sociale, ku postoi edhe fotografi të përbashkët.
“Me presidentin e Turqisë, mikun tim të dashur, Rexhep Tajip Erdogan, në rezidencën e tij verore në Marmaris, biseduam për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, sfidat e kohës, përforcimin e ekonomisë në kushte të pandemisë me Kovid-19, promovimin e bashkëpunimit dypalësh. si dhe situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkroi atëherë Rama.
Pas takimit me Erdoganin, ai u nis për në Greqi, ku në rolin e kryesuesit të OSBE-së mori pjesë në mbledhjen me temën “Përforcimi i kohezionit në kohërat e turbullta në Evropë” të mbajtur në Athinë.