Tiranë, 15 tetor – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar nga mbledhja me drejtuesit e policive vendore se akuzat dhe balta e hedhur ndaj uniformave nuk duket të pengojë punën dhe qëllimin e tyre, ku u tha që politikën t’ia lënë atij ndërsa ata të jenë më efikas.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe tek vrasja në Bllok në Tiranë, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit duhet të godasë të gjithë të fortët dhe kundërvajtësit: “Kam kërkuar sot, që të flasë me ju dhe përmes jush me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Po kalojmë një moment kur mbi publikun, e për fat të keq edhe mbi Policinë e Shtetit është marrë një fushatë shpifjesh të rrezikshme”, tha fillimisht Rama.
Rama theksoi se shpifjet nuk duhet të pengojnë apo të ulim ritmin dhe punën e uniformave, por përkundrazi kjo të shërbejë si motivim shtesë.
“Bota i njeh si Fake News që po përhapen me shpejtësi. Lajmi i rremë, shpifja ka qenë tek ne në faqet e gazetave dhe në mediat tradicionale. Kam ardhur këtu, sepse dalldia e shpifjes nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punë tuaj. Fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat e tuaja, nuk duhet t’u shpërqendroje nga misioni dhe qëllimi i këtij trupi. Që nga të fortët e llojit, që sollën përgjakjen e bllokut në Tiranë, e deri tek ata kundra-vajtësit që shkelin rregullat”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama lëshoi një ultimatum të fortë për të gjithë ata drejtues policish të cilët nuk do të luftojnë krimin në vend. Sipas Ramës, të gjitha ata që nuk kanë guxim të përballëm me raste të tilla, duhet të hapin krahun një orë e më parë.
Shefi i qeverisë shqiptare tha mes tjerash se qytetet e Shqipërisë duhet të çlirohen nga ideja dhe nga perceptimin se ligjin e bëjnë të fortët. Ai tha se qeveria e tij do jetë aktive për të garantuar jetën e qytetarëve, përmes zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të atyre që dalin nga këto korniza.
“Ata që nuk janë në gjendja ta përcjellin këtë mesazh, duhet ta hapin krahun vetë. Përballja me krimin duhet të forcohet. Qytetet tona duhet të çlirohen, jo nga perceptimi, por nga ideja se dikush mund të bëjë ligjin një gjirin tonë”, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama, në takimin me drejtuesit e policisë paraditen e sotme, deklaroi se “statistikat flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi ynë” në lidhje me situatën e krimit në Shqipëri.
“Statistikat janë në anën tonë. Flasin qartë ku ishte e ku është vendi, por lufta e egër për të krijuar perceptimin e kundërt vetëm do përshkallëzohet me më shume shpifje, më shumë aktorë videosh dhe audiosh. Është një luftë e dëshpëruar për pushtet, për pushtetin që u marrka me forcë kur nuk merret me votë. Kjo pjesë nuk është puna juaj, është puna ime dhe e qeverisë, e juaja është të kundërpërgjigjeni me shumë më tepër rezultate sesa deri më sot. Nuk e di a ju ka qëlluar të shikoni disa statistika të punës së policisë ndër vite. Ka patur më shumë vrasje vitin e shkuar po është folur më pak se sa flitet sot. 40 vrasje këtë vit, 43 vjet, dyfish (84) në janar-shtator të 2013. Dhe më keq akoma në 2012. Sot 40 vrasje dhe në vitin 2012, më shumë sesa dyfish”, deklaroi Rama.