Politika e Edi Ramës që bashkëpunimin brendashqiptar ta lërë nën rrogozin e Mini-Shengenit Ballkanik, flet për projektimin e gabueshëm të interesave shtetërore vizavi atyre kombëtare
Nga Emin AZEMI
Ndërsa kryeministri Albin Kurti foli në Tiranë për makroshengen shqiptar, homologu i tij Edi Rama e tha shkoqur se “s’ka makroshegen shqiptar pa minishengen Ballkanik”.
“Takimi sot ishte më parë për makroshegenin shqiptar, se për minishengenin Ballkanin ”, u shpreh Kurti.
“Unë besoj s’ka makroshegen shqiptar pa mini-shengen Ballkanik… makroshengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me atë rajonal”, ka thënë Rama.
Vizita e pare në Tiranë e kryeministrit Albnin Kurtit u përcoll me një përplasje qëndrimesh, të cilat ende nuk dihet saktësisht se do të mbeten edhe në të ardhmen si dy gurë të një litari në qafen e një unioni ekonomik, kulturor, tregtar ende të paunifikuar.
“Dua që në këtë dekadën e tretë të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri cfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona, pra ato janë prioritet i njëra tjetrës dhe nuk presin në asnjë fushë”, tha kryeministri Albin Kurti, i cili konfirmoi se në fund të marsit në Shkodër pritet të mbahet mbledhja e përbashkët e radhës në mes të dy qeverive.
Në këtë mbledhje, siç u tha, do të rishikohen mbi shtatëdhjetë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani dhe do të merren masa të tejkalohen problemet që i kanë bërë të pazbatueshme këto marrëveshje.
Vizita e Albin Kurtit në Tiranë do të jetë objekt komentesh e analizash për faktin se të dy kryeministrat që në takimin e tyre të parë zyrtar shfaqën nuanca mospajtimi sa i përket çështjeve të bashkëpunimit rajonal.
Nga përgjigja e Edi Ramës mbetet të kuptohet se ai ende i rri besnik idesë së Mini-Shengenit, por nuk e kemi të qartë se si do ta ‘hekuros’ këtë ide në Prishtinë, pas ardhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si duket është Edi Rama ai që do të ndikojë në rritjen e shkallës së homogjenitetit në mes të politikanëve të Kosovës sa i përket çështjes së Mini-Shengenit. Ende është herët të flitet se si do të zhvillohen gjërat në këtë drejtim, por nëse Rama insiston në idenë e tij që bashkëpunimin rajonal ta bëjë në sinkron të plotë me Beogradin, atëherë në Prishtinë ka gjasa të shtohen Ramushat, kurse në Tiranë- Albinat.Nëse deri më tani janë nënshkruar mbi 70 marrëveshje nga ana e dy qeverive, dhe shumica dërmuese e tyre kanë mbetur vetëm në letër, atëherë shqiptarëve në rajon nuk ua ka fajin askush se pse nuk kanë një listë të përbashkët prioritetesh ekonomike, tregtare, kulturore etj.
Politika e Edi Ramës që bashkëpunimin brendashqiptar ta lërë nën rrogozin e Mini-Shengenit Ballkanik flet për projektimin e gabueshëm të interesave shtetërore vizavi atyre kombëtare. Deri më tani ka pasur mundësi që bashkëpunimi brendashqiptar të zhvillohet në suaza të një projekti të pranueshëm evropian, ku pengesat administrative-kufitare do të tejkaloheshin pa i cenuar parimet themelore të eurointegrimeve.
Ashtu si në të kaluarën, edhe në të ardhmen Edi Rama do të hasë në refuzimin e njëjtë të Prishtinës, sa i përket idesë së pastudiuar mirë të Mini-Shengenit Ballkanik, kurse Albin Kurtin do ta ketë më shpesh në Tiranë, ndoshta edhe si rival politik. Mundësia për të ndikuar, edhe tërthorazi, në konsolidimin e opozitës shqiptare në Shqipëri, kjo prani më e shpeshtë e Kurtit në Tiranë, mbetet të shihet në javët dhe muajt në vijim, ndërkohë që Edi Ramës i ngelë kohë e mjaftueshme për të analizuar se si matet shpejtësia në rrugën Tiranë-Beograd me radarët e Kosovës. (koha.mk)