Shkup, 15 shkurt – Kryeministri Edi Rama është shprehur nga “Real Story” në Vizion Plus se vendimarrjet e Kosovës i takojnë vetëm autoriteve kosovare. Gjithashtu ai është shprehur se ato do të mbështesim çdo marrëveshje me garancinë e BE dhe të SHBA-së, transmeton KOHA.
“Për mua Kosova është pjesë e Shqipërisë. Nënë i thonë ata të Kosovës Shqipërisë dhe ne të njëjtën gjë. Pastaj komentet e Ramushit janë të Ramushit. Kam thënë dhe them që vendimmarrjet për Kosovën i takojnë qeverisë së Kosovës. Kam thënë dhe them Kush e cileson Hashim Thaçin tradhetar eshte gomar. Kete e perseris sa here te doni. Ne duhet te sillemi si “burra” dhe bisedat e kombit nuk duhet ti bejme si bisedat e mehalles”, ka thënë Rama.
Gjithashtu shefi i qeverisë ka deklaruar se bashkimi me Kosovën është plan A.
“Bashkimi nuk është plan B por është plan A, rruga jonë është rruga që na bashkon dhe ne jemi të angazhuar në një proces që nuk ka të ardhme tjetër përveç bashkimit. Unë e imagjinoj bashkimin si një proces që ndodh në shek e XXI me mjetet e këtij shekulli dhe jo me mjetet e të shkuara”, thekson Rama.
Ndërkohë që për Albin Kurtin, Rama është shprehur se ai nuk duhet të ishte sulmues ndaj emërimit të Cakajt dhe Shahinit, por duhet të festonte për zgjedhjen e tyre në qeveri.
“Sa i përket Albin Kurtit mund të them se ai po bëhet bajat duke treguar përrallën e përsëritur se kush nuk është me të është spiun i Beogradit ose spiun atje. Goditja që i bëri Cakajt dhe Shahinit nuk ishte veprimi i duhur nga Albini, futja e tyre në qeverinë shqiptare duhet të ishte ditë feste dhe jo sulme me një gjuhë që i shkon Sali Berishës, dhe jo atij të paktën në aspektin që unë kam e kam njohur”, potencoi kryeministri Rama. (koha.mk)