Tiranë, 16 maj – Kryministri i Shqipërisë dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj force politike zbuloi takimin e djeshme në Francë me presidentin francez Emanuel Makron, duke thënë se ka marrë mbështetje dhe fjalë pozitive dhe se pas takimit është më optimist se më parë.
“Dje isha në Paris për të vijuar përpjekjen e vështirë por jo të pamundur diplomatike të bindjes së çdo vendi anëtar të BE-së për t’i dhënë vendit tonë në fund të qershorit, atë që mes reformash dhe rezultatesh Shqipëria ka merituar, çeljen e negociatave me BE-në. Unë mund tju them se dëgjova nga presidenti fjalë tejet kurajuese për Shqipërinë”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se ka arritje në luftën kundër korrupsionit, reforma në drejtësi, vettingu, bashkëpunimi me policinë franceze për çështjen e azilkërkimit etj.
“Makron më tha se vendimmarrja e Francës është në studim e sipër, pasi nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por tema e gjerë e zgjerimit të Evropës, që kërkon një reflektim të thelluar.Jam më optimist tani pas takimit, ka akoma javë dhe punë për të bërë”, tha Rama.
Por ai tha se vijon “luftën” e nisur me disa vende të BE-së që janë shprehur skeptikë për arritjen e Shqipërisë dhe që janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.