Rama paralajmëron dënime më të ashpra për ata, të cilët nuk i respektojnë masat

13

Tiranë, 6 prill – Kryeministri shqiptar, Edi Rama, sërish u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin gjatë ditës në qendrat urbane pa leje.

Në një publikim në Fejsbuk, Rama shkruan se shumica e qytetarëve janë korrektë dhe paralajmëron masa të reja të mundshme më të ashpra ndëshkimore për ata të cilët nuk i respektojnë masat për pengimin e përhapjes së koronavirusit.

“U lutem të gjithë qytetarët të cilët lëvizin gjatë ditës në qendrat urbane, të mos e bëjnë këtë pa autorizim! Shumica dërmuese janë super korrektë dhe kështu duhet të jenë të gjithë! Masat e reja ndëshkimore  të cilat duhet të garantojnë nismat e mëpasme lehtësuese, do të jenë shumë të forta, por uroj të mos e pësojë as edhe një, prandaj ju lutem të gjithëve korrektesë”, ka shkruar Rama.

Ai shtoi se Qeveria po bën diçka “që do ta mbajmë mend si një mrekulli, nëse do të dimë të rezistojmë kështu deri në fund”.

Sipas të dhënave të fundit, të cilat Ministria i publikon një herë në ditë, numri i përgjithshëm i të infektuarve është 377 persona, numri më i madh prej tyre në Tiranë ose 177, janë shëruar 116, ndërsa kanë vdekur 22 persona.

Comments are closed.