[adning id="476476"]

Rama në Liban për riatdhesimin e 19 shqiptarëve

161

Tiranë, 31 korrik – 19 shtetas të tjerë shqiptarë, gra dhe fëmijë nga kampi Al Hol në Siri do të kthehen nesër në Shqipëri. Për kurorëzimin e këtij operacioni të vështirë drejt Libanit ka udhëtuar të shtunën edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ai ka publikuar një video nga momenti mbërritjes në aeroportin e Bejrutit prej nga ku do të bëhet edhe riatdhesimi i 5 grave dhe 14 fëmijëve shqiptarë, ndërsa për finalizimin e këtij operacioni ka falënderuar autoritetet libaneze.

“Për operacionin e shpëtimit nga kampi i ferrit në Al Hol dhe kthimit të fëmijëve e grave të tjera në Atdhe. 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim”

Të riatdhesuarit do të shoqërohen nga vet kryeministri Edi Rama dhe pritet të mbërrijnë mëngjesin e së dielës në Rinas. Lajmi për riatdhesimin e shqiptarëve u publikua fillimisht nga një gazetar i NBC, i cili në profilin e tij ne rrjetet sociale publikoi edhe një foto të grave se bashku me fëmijët.

Ky është operacioni i tretë që realizohet në bashkëpunim mes ministrisë tonë të Brendshme dhe autoriteteve libaneze e shërbimet sekrete të disa vendeve partnere për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4 fëmijë të tjerë.