Një takim joformal në Durrës të Shqipërisë ka mbledhur udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, për të diskutuar thellimin e integrimit rajonal, me fokus në ekonomi dhe tregti.
Në këtë takim, sipas një njoftim të Zyrës për komunikim të kryeministrisë në Shqipëri do të marrin pjesë kryeministri i Maqedonisë Zoran, Zaev, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, si dhe Komisionari Johanes Han dhe Siril Muler, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Veprimtaria njëditore, sipas këtij njoftimi, do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia dixhitale.
“Pritet që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të planit shumëvjeçar të veprimit për zonën ekonomike rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë shqiptare.