Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe homologu i tij grek Aleksis Cipras pritet të takohen sot në Davos. Ky takim vjen pak ditë pas maratonës 3 ditore në Korçë mes ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kocias. Nga takimet e zhvilluara në Kretë dhe Korçë, Bushati dhe Kocias janë shprehur optimistë në lidhje me ecurinë e negociatave, ndërsa nuk kanë dhënë detaje mbi çështjet që janë dakordësuar dhe ato që kanë mbetur pezull. Menjëherë pas këtij takimi në Tepelenë filloi gërmimi për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Italo- Greke. Kjo ka sjellë reagimin në Shqipëri të çamëve, që kanë akuzuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama se nga bisedimet ka avancuar axhenda greke, por jo ajo shqiptare.
Bushati dhe Kocias kanë deklaruar se çështjet e diskutuara do të bëhen publike nga Kryeministrat e dy vendeve, ndërsa Edi Rama në një deklaratë të para pak ditëve është shprehur se gjithçka që do të dakordësohet do të përfshihet në një marrëveshje të re. Rama është shprehur optimist për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, duke e cilësuar atë si një dokument që do i përkasë historisë. Nuk dihet nëse në takimin e sotëm që do të mbahet në kuadër të forumit ekonomik të Davosit, kryeministrat e dy vendeve do të dakordësojnë çështjet që janë diskutuar në dy takimet e ministrave të Jashtëm në Korçë.