Tiranë, 8 maj – Kryeministri shqiptar, Edi Rama në konferencën e përbashkët me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini deklaroi se Shqipëria i ka kryer detyrat e shtëpisë dhe meriton fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“Jemi të bindur se i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve dhe meriton fillimin e negociatave”, tha Rama.
Mogerini deklaroi se Shqipëria e ka mbështetjen e saj të plotë, por se duhet të binden edhe vendet-anëtare që t’i njohin rezultatet e Shqipërisë. Ajo i bëri thirrje opozitës që mos t’ia kthejë shpinën rolit të saj, duke shtuar se “qytetarët nuk duhet privuar nga zgjedhja e tyre për zgjedhjet e ardhshme lokale”, përcjellë KOHA.
“Objektivi i Shqipërisë për çeljen e negociatave në qershor është i arritshëm, por nuk duhet marrë lehtë pasi duhet t’i bindni vendet-anëtare t’i njohin rezultatet e juaja. Prandaj i inkurajoj të gjithë në Shqipëri të vazhdojnë të kontribuojnë. Angazhimet kolektive kërkojnë prej të gjitha anëve të jenë të bashkuar për integrimin evropian dhe të hiqen ndarjet. BE e përsëriti qëndrimin e saj: partitë politike nuk duhet t’ia kthejnë shpinën rolit të tyre ndërsa qytetarët nuk duhet të privohen prej pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ky është mesazhi i të gjitha institucioneve të BE-së”, deklaroi Mogerini.
Ajo shtoi se personalisht dhe me kapacitetin e saj institucional ka dhënë mesazhe pozitive që sipas saj do të reflektohen në paketën e KE-së e cila do të aprovohet në fund të këtij muaji ndërsa më pas “topi do të kalojë tek vendet anëtare”.
Rama e falënderoi Mogerinin si edhe ata në KE të cilët punojnë në përgatitjen e raportit dhe shprehu bindje të thellë se vendi i tij do të marrë rekomandim të pakushtëzuar.
Në pyetjen e gazetarëve rreth asaj se cili është qëndrimi i tij lidhur me idenë për ndryshimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se kjo është “gënjeshtër e përmasave të mëdha dhe marrëzi e rrezikshme”. (koha.mk)