Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama firmosi dje peticionin e Shoqërisë Civile për Vetingun. Në një prononcim pas firmosjes, Rama deklaroi për mediat se “kjo është një nisëm e Shoqërisë Civile që PS e mbështet plotësisht dhe fuqimisht në funksion të çlirimit të këtij vendi nga diktatura e korrupsionit dhe kriminalitetit në sistemin e drejtësisë. Është një diktaturë që ‘de facto’ ka bërë shumë viktima këto 25 vite, të cilës i ka ardhur fundi falë kësaj reforme transformuese dhe shtetformuese, e cila do të zbatohet përmes vetingut, dhe do të vendosë një vijë ndarëse mes të ardhmes dhe të shkuarës, mes gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar dhe atyre me integritet, profesionalizëm dhe kurajo për të sjellë në këtë vend epokën e një drejtësie të re dhe barazinë para ligjit”.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “kjo nuk është një reformë thjesht për të pastruar pallatin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe të inkriminaurit, por edhe një reformë për t’i dhënë nxitje të re ekonomisë, punësimit dhe zhvillimt të vendit”, transmeton ATSH.
Për këtë shtoi Rama, “besoj se Përfaqësuesja e Lartë e BE foli troç dhe qartë se, fillimi i zbatimit të vetingut përkon me çeljen e negociatave për anëtarësim. Të gjithë ata që përpiqen ta mjegullojnë këtë fakt të thjeshtë që mbrëmë do ta kenë më të vështirë, pasi dëgjuam nga goja e Përfaqësueses së Lartë të BE që BE është gati që kur dha rekomandimin për hapjen e negociatave vitine shkuar me kusht fillimin e zbatimit të vetingut”.
I pyetur për tryezën e dialogut me opozitën, Rama tha se, “me opozitën nuk kemi çfarë negociojmë, por kemi çfarë disktuojmë. Nëse opozita është e interesuar për standarde zgjedhore më të larta se ato që kemi pasur më parë dhe ka propozime jemi të gatshëm t’i dëgjojmë. Jemi të gatshëm të bisedojmë dhe për çdo gjë tjetër”. Kryeministri theksoi se, “e vetmja gjë që nuk vendosim dot ne, është ajo ç’ka me Kushtetutë i takon sovranit. Është sovrani ai që me votë vendos se kush qeveris dhe kush është në opozitë”.
I pyetur për ligjin e vetingut, Rama u shpreh se, “Është momenti për të zbatuar ligjin e vetingut në bazë të Kushtetutës së ndryshuar nga 140 deputetë dhe PD të mos shpërdorojë mekanizmin e shëndetshëm që është vendosur në Kushtetutë duke u dhënë akses të barabartë mazhorancës dhe opozitës për anëtarët e komisionit”. I pyetur për protestën e opozitës, në çadër, Rama theksoi se, “Opozita mund të qëndrojë në çadër për çdo çështje tjetër, por jo për Vetingun. Ju siguroj se askush nuk e ndal dot vetingun”.
Ndërsa sa i takon mundësisë që opozita të mos futet në zgjedhje, Rama tha se, “hyrja në zgjedhje është e vetmja mënyrë për opozitën që të jetë opozitë, por edhe po të mos marrë pjesë nuk ka asnjë problem, zgjedhje e tyre”. Ndërsa lidhur me krizën në Maqedoni, Rama tha se, “Shqipëria është e shqiptarëve dhe unë mbaj qëndrim për shqiptarët, jo për shtetet e tjera”.