Shkup, 16 korrik – Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot propozimin francez, e që i hapë rrugë negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Pas miratimit të këtij propozimi, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke thënë se më në fund negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk kanë pengesë.
“U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Evropian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë.
Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht”, shkruan Rama.