Tiranë, 28 shkurt – Duke marrë pjesë në takimi në të cilin prezantoheshin projekte për rikonstruimin e shtëpive të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri shqiptar, Edi Rama, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për akuzat e presidentit Ilir Meta se qeveria po përgatitë grusht shtet, në mënyrë ironike u përgjigj se “Metën ua lë gazetarëve, sepse për të është luks i madh të merret me presidentin”.
“Presidenti e ka shtëpinë. Më shumë se një shtëpi. Unë jam këtu për ata që jetojnë në çadra dhe presin që të futen në shtëpinë e tyre. Për ata jam unë këtu, jo thjesht në këtë konferencë, por në të gjitha orët e ditës time me gjithë natën. Jua kam lënë juve çështjen e presidentit. Unë nuk merrem me presidentin. Është shumë luks i madh për mua të merrem me presidentin”, tha Rama.
Me përqeshje dhe ironi akoma më të madhe u kundërpërgjigjën nga kabineti i Metës.
“Lajmërojeni gruan e Bilallit se Presidenti ka vetëm një shtëpi: Shqipërinë. Sa shtëpi ka gruaja e Bilalit pyeteni vetë”, shkroi në Fejsbuk zëdhënësi Tedi Blushi.
Sipas edicionit elektronik të gazetës “Koha jonë”, prapa kësaj deklarate Blushi iu përgjigj kryeministrit me “gruan e Bilallit”, duke e përkujtuar për pagesën jolegale të 80.000 dollarëve për t’u fotografuar me Barak Obamën.
Raportet në relacionin president – kryeministër arritën kulminacionin, vetëm disa ditë para mbajtjes së protestës që e organizon Meta.
Nën moton “Për Republikën, Kushtetutën, kombin, unitetin e popullit”, presidenti Ilir Meta u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në sheshin “Heronjtë e kombit” më 2 mars. (koha.mk)