Rama: Kush thotë se Thaçi është tradhtar është …..

Kryeministri Edi Rama nuk ka preferuar që të shprehet pro apo kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por i ka dalë në krah Presidentit Hashim Thaçi i cili ka qenë i pari që hodhi idenë e korrigjimit të kufijve.

“Hashim Thaçi është Presidenti i Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhëtar, është gomar. Të tjerat pastaj janë çështje që i takojnë debatit të brendshëm, këtu është çështja që ne të gjejmë rrugën e duhur që shqiptarët të jenë bashkë, jo me fjalime por në realitet. Që ajo shqiponja dykrenare të jetë një. Shqipëria dhe Kosova të jenë një në çdo drejtim dhe çdo aspekt”, tha Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me homologun kosovar pas mbledhjes mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë në Pejë.

Ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se është kundër ndryshimit të kufijve, duke mbrojtur kështu integritetin territorial të vendit.

“Asnjë metër e Kosovës nuk merret më. Kjo është tokë e larë me gjak. 17 Shkurti nuk preket më. Kur është gati Serbia të na njohë, mirësevjen. Nëse nuk na njeh, ne nuk mërzitemi. Nuk presim nga të tjerët. Ne do t’i kryejmë punët tona. Është gabim të mendohet në zgjidhje territoriale mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë kufijtë në Ballkan, u takon shqiptarëve që të kenë pretendime”,deklaroi Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.