Tiranë, 30 qershor – Kryeministri shqiptar Edi Rama, pasi së bashku me bashkëshorten Linda e kanë realizuar të drejtën e tyre të votimit, tha se “këto zgjedhje janë për Shqipërinë që e duam”, dhe se është shumë me rëndësi të respektohet e drejta e çdo qytetari, pa marrë parasysh nëse ka vendosur të votojë ose jo, pwrcjellw KOHA.
“Sot është ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Besoj se kjo ditë njëherë e përgjithmonë do të konfirmojë se me popullin askush nuk mund të luajë. Sovraniteti i popullit nuk është fjalë e zbrazët, dhe kush tenton t’ia marrë sovranitetin popullit, nuk ka fund tjetër përveç dështim dhe turp. Me rëndësi është të respektohet e drejta e secilit qytetar të votojë ose të mos votojë. Historia na tregon se këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që e dëshirojmë për të gjithë fëmijët tanë”, deklaroi Rama.
Ai ka shprehur bindje se në Shqipëri po ndodh diçka historike dhe se asnjëherë interesat e një partie politike ose llogarive politike nuk mund të jenë në ndeshje me interesat kombëtare.
“Këto janë zgjedhje të cilat do t’i japin mësim politikës se interesi kombëtar është mbi secilin interes personal”, tha Rama, i cili u “bombardua” nga pyetjet dhe i luti gazetarët që t’ia lirojnë rrugën dhe u largua. (koha.mk)