Tiranë, 5 korrik – Kryeministri Edi Rama iu përgjigj shqetësimit të adresuar sot nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, për dështimin e strukturave të shtetit në arrestimin e Klement Balilit.
“E kuptoj shqetësimin që nënvizoi miku ynë ambasadori lidhur me një nga profilet më të larta të krimit të organizuar dhe pa diskutim që arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë një sukses i madh. Por, të mos harrojmë se vetëm pak vite më parë ky ishte drejtor i lidhur politikisht dhe politikisht i promovuar drejtor. Jo drejtor peshkimi, por transporti”, tha Rama.
Sot, sipas tij, “ai është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, më herët se vonë, ai do të kapet”.
Edhe pse, vijoi Rama, “nuk është e lehtë kur bëhet fjalë për profile të kësaj natyre që kanë lidhje shumë të forta në mjedisin përreth”.
‘Ne jemi frontalisht të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar, por shikojmë deri edhe shfaqje të pabesueshme të krimit me politikën”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar iu referua videos së publikuar nga opozita që sipas tij, synonte të diskretitonte figurën e Ministrit të Brendshëm.
“Për çdokënd që është në një skrivani në Berlin, Hagë apo Paris, që merr raportin të shkruar ‘Audio-përgjim, vëllai i ministrit duke diskutuar sasitë e drogës me trafikantët’, nuk ka as kohën e as dëshirën të dijë se si është e vërteta. E vërteta, jo vetëm që nuk është kjo, por është e kundërta”, tha Rama.
Kryeministri e konsideroi këtë rast, si “një nga shfaqjet më shembullore të bashkëpunimit të politikës me krimin e organizuar për të frenuar trupëzimin e shtetit kundër krimit”.
“Unë ndaj me ju këtë bindje dhe nuk shoh asnjë arsye pse një parti politike të bashkëpunojë me persona që kanë hyrë e dalë nga burgjet si turistë në hotele, për të inskenuar një film me personazhe, që prokuroria do ta zbardhë deri në fund”, tha Rama.