Tiranë, 8 janar – E përditshmja italiane “La Republika” shkruan për rritjen e rrezikut terrorist në Shqipëri. Në artikullin me titull “Terrorizmi, flamujt e SHI në fshatrat shqiptare”, e përditshmja italiane ngre alarmin e rritjes së rrezikut terrorist në Shqipëri, pasi sipas saj, është rritur numri i personave të radikalizuar islamistë në vendin tonë. Shkrimi është bazuar në informacionet e marra shërbimet e Inteligjencës italiane ku theksohet se rajoni më i afërt italian i cili pritet të goditet nga terroristët është ai i Puglias. “Djemtë nga fshatrat e Leshnica, Zagorcan e Rremen, janë ata që sot bëjnë Evropën të dridhet. Më i rrezikshmi nga ata qe Almir Daci, me origjinë nga Leshnica, ku drejtonte xhaminë e cila ka radikalizuar qindra persona. Almir Daci thuhet se ka vdekur në marsin e shkuar në Siri”, shkruan “La Republika”. Sipas inteligjencës italiane në rajonin e Pugias jetojnë prej kohësh shqiptarë me prejardhje nga këto qyteza jug-lindore të Shqipërisë. I tillë ishte dhe Ervis Alinji, i cili kishte emigruar që i vogël në Puglia së bashku me familjen e tij. Pak kohë më parë ai u kthye në Shqipëri, ku u radikalizua dhe u nis për Siri ku gjeti dhe vdekjen. Por jo vetëm kaq, pasi shqiptarë të radikalizuar sipas gazetës italiane vijnë edhe nga zonat juglindore të Shqipërisë. Në artikull thuhet se ata janë eksponentë të kriminalitetit shqiptar që veprojnë në provincën e Barit dhe që merren me trafik armësh e lëndësh narkotike. “Një faktor ky, që sipas inteligjencës italiane bën potencialisht më të rrezikshëm situatën, pasi mund të krijoj lidhje mes krimit të organizuar e organizatave terroriste.” thuhet më tej në artikull Kjo nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që “La Republika” pretendon se në disa fshatrat shqiptarë valëvitet flamuri i SHI dhe se Italia nuk i trembet as emigrantëve e as azilkërkuesve por shqiptarëve të radikalizuar. “Një gënjeshtër e madhe po çfarë të bësh, kështu po shkon kjo punë kudo, kush nuk lexon gazeta nuk informohet, kush lexon dezinformohet”, shkruan Rama me një komentues në “Facebook”. Reagimi i Ramës erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së një qytetari i cili i ka kërkuar një opinion lidhur me shkrimin e gazetës italiane, që me shumë gjasë Rama do e cilësonte një “media kazani”, etiketim që ai u ka vënë mediave shqiptare që sipas tij, vetëm shpifin.