Tiranë, 18 qershor – Moskuptimet dhe akuzat e ndërsjella mes dy personaliteteve të rëndësishme në Shqipëri, presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama vazhdojnë. Pas brengës së shprehur të shefit të shtetit Ilir Meta për mundësinë e kthimit të regjimit të vizave për Shqipërinë, shpejtë përmes Tuiterit ka reaguar kryeministri Edi Rama me këshillë të mos e brengosë çështja e vizave dhe e akuzon se pikërisht ai është pjesë e frontit kundër Shqipërisë, transmeton KOHA.
Presidenti Meta shfaqi brengë në lidhje me rrezikun nga vendosja e sërishme e regjimit të vizave me vendet e zonës së Shengenit për Shqipërinë, dërgoi apel urgjentisht të ndërmerren masa me atë që ” të mos neglizhohet ose anashkalohet çfarëdo lloj përgjegjësie që mund t’i bëjë dëm kësaj lirie të fituar të shqiptarëve”.
Brengën ai e bazon në kërkesën e Holandës dorëzuar KE-së për kthim të vizave për qytetarët shqiptarë dhe paralajmërimin e djeshëm të Komisarit për migrim, punë të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopulos. Komisari Avramopulos dje deklaroi se në katër muajt e parë të vitit për azil kanë aplikuar 7.138 qytetarë shqiptarë që është për 30 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Avramopulos më tutje shtoi se nëse ky trend migrues vazhdon KE-ja do të ndërmarrë hapa adekuat dhe i bëri thirrje Shqipërisë, si dhe Venezuelës dhe Kolumbisë, prej ku ka fluks më të madh të azilantëve, t’i respektojnë rregullat e dakorduara.