Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Në një njoftim nga Kryeministria e Shqipërisë thuhet se në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e zhvillimit dhe u theksua nevoja e bashkërendimit të kontributeve të të gjithëve në adresimin e këtyre sfidave. “Guterres përgëzoi Shqipërinë për integrimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Situata politike dhe ajo në fushën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishin në fokus të takimit. Kryeministri Rama garantoi se Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar me përkushtim të lartë për paqen e sigurinë jo vetëm në rajonin tonë, por edhe me gjerë”, theksohet në njoftim. Gjithashtu theksohet se kryeministri Rama nënvizoi gjatë takimit se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ka folur për disa çështje, konkretisht për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftën kundër terrorizmit, bashkëpunimin rajonal, Kosovën, etj. Në kuadër të sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kryeministri i Shqipërisë është takuar me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Gjithashtu Rama ka takuar edhe me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.