Tiranë, 7 dhjetor – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një videoklipi në Facebook i fton në dialog studentët të cilët edhe sot protestojnë para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke u thënë se përveç dëshirës për të protestuar, duhet të kenë edhe vullnetin për të biseduar, por kjo është refuzuar nga studentët të cilët qëndrojnë në plotësimin e kërkesave të tyre dhe paralajmërojnë se nëse ato nuk do të plotësohen do të vijojë greva e urisë.
“Në rrugë dilet për të kërkuar vëmendjen e vendimmarrësve ndaj shqetësimit që ke, ndërsa shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendimmarrësit. Dua që ata ta dinë se kam shumë për t’u thënë, por edhe shumë dëshirë që t’i dëgjoj, ballë për ballë, pa censurë për opinionin publik, pa drejtues, pa administratorë, pa pedagogë, por vetëm studentët e zgjedhur prej vet protestuesve, pa asnjë filtër partiak apo administrativ”, deklaron Rama përmes një videoklipi në FB.
Sipas tij, protestat e studentëve janë të garantuara.
“Po të mund të zgjidhja, sot do të doja të isha edhe njëherë student protestues, por si kryeministër dhe si një protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri-tjetrin me respekt, jemi apo jo dakord, dhe duke u bërë bashkë për modernizimin e arsimit të lartë në çdo aspekt, ne mund ta përshpejtojmë dhe ta bëjmë shumë më mirë punën kolosale që mbetet ende për të bërë në dobi të universitetit”, tha Rama.
Nga ana tjetër, siç njofton “Vizion Plus” studentët kanë bërë me dije se nuk do të ketë asnjë negociatë me qeverinë në lidhje me kushtet e vendosura prej tyre.
Nga Ministria e Arsimit, studentët, të cilët prej orës 10:00 po vijojnë protestën, deklaruan në kor se nuk do të ketë negociata.
Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, protesta do të përshkallëzohet duke thënë se e greva e urisë do të jetë hapi i radhës në shenjë proteste për mosplotësimin e kërkesave të tyre.
PERGJIGJA IME
Publiée par Edi Rama sur Vendredi 7 décembre 2018