Nga pallati i sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ku ka nisur punimet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste me në fokus përgatitjet për zgjedhjet, kryeministri Rama, duke e krahasuar forcën e tij politike me Juventusin, skuadër që vetëm fiton dhe pas çdo fitoreje akuzohet se ka fituar me hile, i dha një mesazh të qartë Partisë Demokratike në formën e një ftese.
“Dilni nga çadra që të ballafaqohemi me popullin më 18 qershor. Zgjedhjet nuk do të shtyhen, sepse populli nuk pret më dhe më 18 qershor do të bëjë zgjedhjen e tij. Ose të rrinë në çadër dhe të hanë pica. Koha e vjedhjes së votave ka marrë fund, ndërsa ne kurrë nuk do t’i biem ndesh zgjedhjeve të lira”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Duke përsëritur edhe arsyen, sipas Ramës, se përse Basha nuk hyn në zgjedhje, për shkak se nuk do vettingun, kryeministri ka theksuar edhe njëherë fuqishëm se forca e tij politike kërkon të zbatojë Reformën në Drejtësi në mënyrë që të shporren gjyqtarët e korruptuar.
Ndërkohë, edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dhënë një mesazh të fortë elektoral, si ndaj opozitës, ashtu edhe ndaj aleatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
“Mes nesh dhe atyre janë dy botë të ndryshme. Shqipëria e atyre që punojnë dhe e atyre që vetëm flasin. Jemi krenarë për çfarë kemi bërë deri më sot dhe kërkojmë ndjesë ndaj socialistëve dhe shqiptarëve për punët që nuk i kemi bërë ende. Por këto dy botë do të takohen sërish më 18 qershor, atëherë kur më shumë shqiptarë do të bashkohen për Shqipërinë që duam. Nuk ka koalicion më të rëndësishëm sesa aleanca jonë me shqiptarët”, është shprehur Tahiri.
“Ne nuk duam një koalicion për të mbledhur vota. Socialistët, bashkë me shqiptarët do të hyjnë në zgjedhje dhe do të fitojmë padiskutim. Edi Rama do të jetë sërish kryeministër pas 18 qershorit”, ka thënë më tej Tahiri, në një mesazh dukshëm dhënë aleatëve të LSI-së në koalicion. (tch)