Tiranë, 2 mars – Në Shqipëri mbrëmë vonë, në aeroportin ndërkombëtar, mbërriti dërgesa e re prej 15.210 vaksinash nga kompania Fajzer, me çka deri më tani kanë mbërritur 22.230 vaksina nga 500 mijë të dakorduara.
Kryeministri Edi Rama pas arritjes nga Brukseli, e pranoi dërgesën, së bashku me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe paralajmëroi se në prill do të mbërrijnë edhe 30.000 doza të Fajzerit, me qëllim të intensifikimit të vaksinimit.
“Sot kemi marrë konfirmim nga Fajzer se në prill do të marrim 30 mijë doza, kështu që procesin e vazhdojmë pa ndërprerje. Unë besoj se shumë shpejt do të kemi shumë lajme të mira sepse i kemi konfirmuar edhe 14 mijë dozat e para të AstraZenekës përmes mekanizmit Kovaks. Së shpejti do të kemi mundësi për vaksinim intensiv që të ndërpritet zinxhiri i infeksioneve, kështu që sezoni i ri turistik do të jetë me ulje drastike të infeksioneve dhe Shqipëria të jetë e hapur për të gjithë ata që duan të vijnë”, deklaroi Rama.
Shqipëria me Kovaks ka nënshkruar marrëveshje për 1.114,000 doza vaksinash për të cilat janë paguar 3.9 milionë dollarë.
Ndërkohë, vazhdon trendi në rritje i vdekjeve dhe i të infektuarve të rinj. Sipas të dhënave të fundit, dje janë regjistruar 764 raste të reja ose 30 për qind nga 2.714 të testuar, si dhe 20 pacientë të vdekur. I lartë është edhe numri i pacientëve aktivë në sëmundje, 35.702 nga gjithsej 107.931 raste pozitive, ndërsa 1.816 njerëz kanë vdekur në kushte spitalore.
Procesi i imunizimit kundër Kovid-19 në Shqipëri filloi më 11 Janar dhe deri më tani janë vaksinuar rreth 15.000, kryesisht punonjës shëndetësorë dhe njerëz mbi moshën 80 vjeç. Rama dhe Manastrliu ishin sot në Durrës që prej afër të njoftohen me zhvillimin e këtij procesi.