Tiranë, 7 prill – Kryeministri shqiptar Edi Rama në një reagim lidhur me grevën e kontrollorëve në aeroportin në Titanë e akuzoi presidentin Ilir Metën se ai së bashku me Sali Berishën, i ka nxitur kontrollorët e fluturimit në grevë.
Rama thotë se Ilir Meta është nxitës i kësaj “goditje të çmendur” duke shtuar se nuk do të kenë sukses. Sipas Ramës, grupi i nxitur nga ai dhe Sali Berisha, kanë kryer akt serioz të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”.
“Humori vulgar i I.M. ndërkohë që një grup i nxitur prej tij dhe Saliut, kanë kryer aktin e rëndë të bllokimit të aktivitetit të aeroportit “Nënë Tereza”, thjesht rikonfirmojnë se I.M. është nxitës i kësaj goditjeje të çmendur e s’ka shqiptar që s’e kupton pse! Po s’do ia dalin jo!”, ka shkruar Rama në Tuiter.
Akuzat e Ramës, shpejt i hodhi poshtë Berisha, përmes publikimit në Fejsbuk, të njëjtat i quajti banale me të cilat Rama dhe ministrja Balluku duan t’i fshehin vjedhjet dhe keqpërdorimet e mjeteve të mëdha financiare të Albkontroll”.
“I bëj thirrje Agjencisë Evropiane te Aviacionit Civil në të cilën Albkontroll është i anëtarësuar, të nisë me përparësi inspektimin e kësaj ndërmarrje për të gjetur shkaqet që detyruan punonjësit e saj të shpallin grevë”, ka shkruar Berisha.
Paraprakisht gjatë vizitës në aeroportin ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku grevën dhe bllokimin e trafikut ajror mbi qiellin shqiptar e quajti grusht shtet. Ajo kërkoi nga presidenti Ilir Meta, i cili gjithashtu është takuar me kontrollorët dhe ka kërkuar informacione nga Albkontroll, publikisht të prononcohet për këtë gjendje.