Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama në ditët në vijim do të takohet me Albin Kurtin, i cili fitoi zgjedhjet në Kosovë dhe pritet të formojë qeverinë e re, për të diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, që sipas tij duhet të kenë një hov tjetër.
“Përsa i përket Albin Kurtit do të takohemi në ditët në vijim, ka kërkuar të më takojë dhe e pres me kënaqësi, e kam ndjekur në prononcimet e tij, bie dakord me të që ka një nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe marrëveshjet e bëra duhet të shkojmë përtej dhe me qeverinë e re të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme, që në këtë fushë nuk arriti të bënte shumë”, tha Rama.
Ai shtoi se ka edhe disa propozime të reja dhe është momenti për të vendosur një ministër shteti për të dy anët
“Kam disa propozime të reja dhe mendoj se është momenti për të pasur një pikë referimi institucional në çdo pikë për ndjekjen e marrëveshjeve dhe çfarë mendoj se çfarë duhet bërë më tutje. Do të dëgjoj edhe idetë e freskëta të Albinit, tani që shpresoj dhe besoj, se nuk do të ketë ndonjë çudi” tha Rama.