Tiranë, 1 prill – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për televizionin “Ora njuz” u shpreh se ditët e para të prillit do të jenë vendimtare për marrjen e masave shtesë ndaj koronavirusit.
“Po diskutojmë dhe kur të jemi gati do të bëjmë publike çdo hap që do të hidhet për më tutje. Fillimisht kemi 10 ditë për të ndjekur dinamikën dhe duke pasur parasysh që ky 10 ditësh ka goxha peshë në përcaktimin e profilit që ka lufta jonë. Është e detyrueshme të ndjekim këtë 10 ditësh në funksion dhe të parashikimeve të mundshme dhe të përafërta që mund të bëjmë për periudhën kur armiku do të fillojë të tërhiqet”. tha Rama.
I pyetur nëse në ditët e ardhshme do të ketë testime në masë, kreu i qeverisë u shpreh se për këtë çështje duhet të vendos Komiteti Teknik i Ekspertëve.
“Diskutimi për testimet është botëror. Ne nuk jemi Amerika në asgjë farë. Në këtë rast ne jemi të bindur që komiteti ynë teknik i ekspertëve nuk ka asgjë më pak sesa çdo komitet teknik në botë, edhe në Amerikë po të doni ju. Strategjia e tamponëve është strategji që nuk e përcaktoj unë, nuk e përcakton qeveria, mediat, jo e jo gjinkalla këngëtare, e përcaktojnë ekspertët e komitetit teknik. Deri tani nuk besoj se keni vërejtje substanciale si po ecën situatë. Që tregon se tregon strategjia po funksionon. Ne do të bëjmë si të na thonë ekspertët. Kur të thonë ata që do bëhen më shumë teste ne do ti bëjmë dhe do zbatojmë urdhrin e tyre”, u përgjigj Rama.
Ai theksoi se masat e sjella të cilat fillimisht ishin thënë se do të zgjasnin deri më tre prill, Qeveria shqiptare ka vendosur që të vazhdojnë deri në fund të pandemisë.
Në Shqipëri nga Kovid-19 janë infektuar 259 persona, prej tyre janë shëruar 67, përderisa kanë ndërruar jetë 15 persona.(koha.mk)