Tiranë, 24 korrik – Në lidhje me protestën e sotme të artistëve të teatrit dhe qytetarëve, të cilët janë kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar reagoi kryeministri Edi Rama, i cili në një status në Tuiter shkroi se teatri i ri kombëtar do të ndërtohet si plan i përgjegjësisë qeveritare.
“Asnjë pakicë nuk mund të mbajë peng asgjë dhe askënd në këtë vend. Edhe krahas respektit për një pakicë të aktorëve të teatrit dhe politikanëve të cilët asnjëherë nuk kanë hyrë në teatër, por janë mësuar që të bëjnë teatër nga gjithçka, Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan dhe përgjegjësi qeveritare”, shkroi Rama.
Shton se askush nuk ka mandat, e as të drejtë që ta pengojë ndërtimin e teatrit të ri.
“Ndërtimin e teatrit të ri kombëtar e kërkon kryeqyteti, shteti, kombi dhe pjesa më e madhe e komunitetit të artistëve të teatrit. Në mënyrë identike si edhe stadiumi i ri kombëtar, ky do të jetë një gur kilometrik në rrugën për Shqipërinë të cilën e dëshirojmë. Ai i cili nuk pajtohet respektohet, por nuk ka as mandat e as të drejtë që të pengojë”, porositi Rama.
Nga ana tjetër kundër rrënimit të teatrit është opozita, e cila edhe sot ishte pjesë e protestuesve para objektit.
Lideri i demokratëve Lulzim Basha, në fjalimin e tij tha se rrënimi i teatrit është “projekt kriminal dhe shërben për larje parash nga droga”. Theksoi se teatrin e mbrojnë aktorët, por se edhe ata janë këtu “që të mos e lejojnë këtë vjedhje”.
Shefi i shtetit, Ilir Meta, dorëzoi kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese që rrënimin e teatrit ta shpallë si jokushtetues.(koha.mk)