Tiranë, 20 mars – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbrëmë e prezantoi planin me 7 pika të qeverisë për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre të përmuajshme për shkak të paralizimit të jetës nga masat drastike kundër koronavirusit.
Paralajmëroi se do të ndahen mbi 370 milionë dollarë që do të shkojnë si ndihmë për shëndetësinë, biznesin dhe shtresat në nevojë. “Nga shuma e përgjithshme, 2.5 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë, do të vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisjet dhe materialet mjekësore ose për mbështetjen e stafit mjekësor. Përmes instrumentit garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive në pagimin e pagave të punonjësve të tyre, ndahen 100 milionë dollarë”, sqaroi Rama përmes një video-fjalimi nga kabineti i tij.
Sipas planit të qeverisë 65 milionë dollarë janë ndarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të gjendjes me koronavirusin. Ministrisë së Mbrojtjes për operacion humanitar do t’i vihen në dispozicion 20 milionë dollarë, ndërsa 10 milionë si fond rezervë për qeverinë për çdo gjendje të jashtëzakonshme të paparashikuar.
“Gjithashtu ne do t’i fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes të vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë ose 150 milionë dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 024 abonentë”, tha Rama. Është parashikuar gjithashtu edhe shtyrje të ardhurave, si dhe paraqitja e llogaritjeve të cilat kompanitë i dorëzojnë në Bankën Qendrore të Shqipërisë. “Ky plan, si një akt normativ për ndryshime në buxhetin 2020, hyn në fuqi më 20 mars të vitit 2020”, tha Rama. Ai theksoi se askush, përveç Zotit nuk e di se kur “do të shpëtojmë nga ky ankth”.