Nëse për Diego Godin është thuajse çdo gjë e kryer, sa i përket transferimit te Interi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushorin kroat të Barcelonës, Ivan Rakitiç.
Thashethemet e merkatos kanë sugjeruar se zikaltrit dhe mesfushori kroat kanë arritur një marrëveshje për verën e ardhshme, ndërsa transferimi do të kryhej mbi bazën e 40 milionë eurove, por vetë Rakitiç ka shpjeguar këto zëra.
Në përfundim të ndeshjes me Sevillan, të cilën Barcelona e fitoi me rezultatin 2-4, futbollisti kroat i cilësoi qesharakë zërat e merkatos mbi të ardhmen e tij dhe shtoi se dëshira e tij është që të mbetet pjesë e katalanëve deri në fund të kontratës.
“Thashethemet e merkatos? Shpeshherë kur zgjohem në mëngjes dhe lexoj këto gjëra, më vjen të qesh. Unë kam një kontratë edhe për 3 sezone të tjera me Barcelonën dhe ndihem mjaft mirë këtu, ndaj kamë dëshirë ta respektoj. Natyrisht që më vjen mirë kur klube të tjera interesohen për mua, por jam i përqendruar të respektoj kontratën me Barcelonën”, tha Rakitiç.