Ivan Rakitic ka pranuar se kurrë nuk ka qenë shok i ngushtë me Lionel Messi dhe Luis Suarez gjatë kohës që ishte në “Camp Nou”. Mesfushori kroat u largua pas 6 vitesh nga Barcelona kësaj vere, duke u bashkuar me ish-klubin e tij, Sevilla. Kishte raportime se Rakitic nuk shkonte mirë me dy yjet amerikano-jugorë, por, ndërsa e pranon se nuk ishin të afërt, tha se nuk kishte asgjë përveç respektit për ta. “E kam sqaruar pozicionin tim, – tha Rakitic për “El Desmarque”.
– “Marrëdhënia ime me ta nuk ka qenë kurrë kaq e afërt, sa t’i konsideroj mes miqve të ngushtë. Besoj se është e vështirë në një grup prej 23 ose 24 lojtarësh. Miqtë e mi më të ngushtë ishin Andres Iniesta, Marc-Andre ter Stegen, Kevin-Prince Boateng dhe Junior Firpo sezonin e kaluar. Por, unë i respektoj të dy. Ata ishin shokët e mi të ekipit për gjashtë vite, janë lojtarë shumë të rëndësishëm. Unë gjithmonë kam kaluar jashtëzakonisht mirë dhe kam respektin më të madh për ta. Gjatë bllokimit prej koronavirusit, të gjithë kemi qenë shumë afër, pothuajse fqinjë. Jam shumë mirënjohës për mënyrën se si më kanë trajtuar gjatë viteve”.
Duke u kthyer në klubin ku kaloi katër sezone produktive, midis 2011 dhe 2014, Rakitic do të jetë plotësisht i përqendruar te Sevilla.
“Ti jepja lamtumirën ekipit kombëtar kroat ishte një nga vendimet më të vështira të karrierës time, por e ndjeva se kishte ardhur momenti që ta bëja këtë. Kam shijuar çdo ndeshje të luajtur për vendin tim dhe kujtimet e Kupës së Botës do të mbeten gjatë në memorien time. Jam i bindur që kemi akoma një ekip të shkëlqyer dhe një të ardhme të ndritur përpara. U uroj të gjithë miqve dhe shokëve të skuadrës, gjithë fatin e botës për sfidat e reja që na presin dhe konfirmoj se unë do të jem tifozi i parë i tyre”, tha Rakitic. Mesfushori debutoi me përfaqësuesen kroate më 8 shtator të 2007-ës në një ndeshje eliminatore të Evropianit ndaj Estonisë në Zagreb, ndërsa gjatë karrierës së tij veshi fanellën e Kroacisë për plot 106 ndeshje, duke shënuar edhe 15 gola.
Derisa, Sevilla pritet ta fillojë sezonin 2020-2021 me Superkupën e Evropës, kundër Bayern Munich, të enjten, pasi fitoi Ligën e Evropës.