Turqia asnjëherë nuk do të tërhiqet nga marrëveshja e saj me Rusinë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400, tha të premten ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu. “Ne asnjëherë nuk do të bëjmë hap prapa (rreth sistemit S-400)”, tha Mevlut Çavushoglu në Panelin Editorial të Anadolu Agency në Ankara. “Ne do të vazhdojmë përkushtimin tonë në mënyrë që të bëhemi komb i pavarur dhe i lirë”, tha Çavushoglu.
Deklarata e tij vjen pasi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën tha se Turqia tashmë ka blerë sistemin rus S-400 dhe se dorëzimi duhet të ndodhë muajin e ardhshëm. Çavushoglu theksoi se nëse SHBA-të ndërmarrin hapa negativ ndaj Turqisë, Ankaraja do të merr kundërmasa. Tensionet mes SHBA-ve dhe Turqisë janë përshkallëzuar në muajt e fundit mbi blerjen e sistemin nga ana e Ankarasë, për të cilin Washingtoni thotë se do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin amerikan për avionë luftarakë F-35 dhe do të shkaktojë sanksione nga Kongresi amerikan.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të, Ankaraja në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin mbrojtës rus S-400. Zyrtarët amerikanë e kanë këshilluar Turqinë që të blejë mburojën raketore amerikane Patriot në vend të S-400-it, duke thënë se sistemi rus nuk do të ishte në përputhje me sistemet e NATO-s dhe se do të ekspozonte avionin F-35 ndaj një dredhie të mundshme ruse. Megjithatë, Turqia ka theksuar se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbënte rrezik për aleancën.