Qyteti sirian Raka është zyrtarisht i çliruar nga kthetrat e grupit terrorist Shteti Islamik. Në qytetin që për tre vite u shndërrua në kryeqendrën siriane të xhihadistëve, të martën nisën të festonin militantët kurdë, të cilët ishin të parët që hynë pas çlirimit. Në Raka të Sirisë ka ardhur momenti i festës, gëzimit dhe emocioneve. Tashmë qyteti konsiderohet krejtësisht i çliruar pas tre vitesh pushtimi nga kthetrat gjakatare të Shtetit Islamik, që e kishin kthyer atë në kryeqendrën e tyre për Sirinë. Militantët e grupeve të armatosura kurde të Sirisë hynë të martën në zonat e fundit, që konsideroheshin nën kontrollin e xhihadistëve. Deri të dielën aty mendohej se qëndronin 300 militantët e fundit të Shtetit Islamik. Hyrja e militantëve kurdë kurorëzoi 5 muaj luftime për çlirimin e Rakës nga kthetrat e terroristëve. Luftime që i kanë marrë jetën 3250 personave, mes të cilëve 1130 civilë. Ndihma kryesore, militantëve pro-perëndimorë iu dha nga bombardimet e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit të drejtuar prej saj. Qyteti është thuajse krejtësisht i shkretuar dhe rrafshuar. Vetëm 8 mijë njerëz vijojnë të jetojnë në këtë qytet, i cili që prej prillit është braktisur nga 270 mijë banorë. Hapi i parë pas çlirimit është heqja e minave që xhihadistët i kanë përhapur kudo. Dhe më pas përllogaritja e dëmeve, një proces pas të cilit me shpresë do të mund të flitet për rindërtim. Aleanca e mbështetur nga SHBA, mes kurdëve sirianë dhe luftëtarëve arabë kanë shpallur marrjen nën kontroll të plotë të të ashtuquajturit “kryeqytet” të Shtetit Islamik, Raqqa në Siri.
Raka çlirohet plotësisht
Zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane (SDF), Talal Sello tha se luftimeve u ka ardhur fundi pas një mësymjeje 5-mujore. Tashmë po zhvillohen operacione spastrimi, për të zbuluar ndonjë xhihadist të kamufluar mes civilëve apo për të hequr minat e vëna në tokë, shtoi ai.