Taksa! Kjo ishte fjala më shpesh e përdorur në komunikimin publik, e jo vetëm në atë publik në Kosovë gjatë gjithë vitit 2019. Kuptohet, bëhet fjalë për tatimin prej 100 për qind i cili në fund të vitit paraprak e vendosi qeveria e Ramush Haradinajt për importin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Shkak i drejtpërdrejtë për vendosjen e asaj takse ishte pengimi nga ana e Serbisë për pranimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Policisë Interpol, por edhe bllokadat e tjera të vazhdueshme në plan ndërkombëtar. në shpjegimin e vendimit numëroheshin edhe fushatat e Beogradit kundër shtetësisë kosovare, si dhe pengesat që bizneset e Kosovës, por edhe qytetarët, i kanë në kontaktet me autoritetet serbe – moslejimin e hyrjes dhe kalim përmes territorit serb të mallrave me deklaratat “Mejd in Kosovo”, probleme me targat e automjeteve nga Kosova, maltretimin gjatë hyrjes në Serbi të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të serbëve të cilët nuk janë të njëjtit mendim ma partinë Lista Serbe, e cila është haptas e mbështetur nga autoritetet serbe, e kështu me radhë.
Presionet për heqjen e taksës dhe këmbëngulja e Haradinajt
Paralajmërimi fillestar i Haradinajt dhe ministrave të tij ishte se taksa do të mbetet në fuqi derisa autoritetet serbe, në krye me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe shefin e Diplomacisë Ivica Daçiq, nuk ndalojnë me fushatën agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve të caktuara. Më vonë qëndrimi evoluoi deri aty që taksa nuk do të hiqet derisa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Përgjigjja e Beogradit ishte ndërprerja e kontakteve me Prishtinën dhe suspendimi i negociatave të cilat realizoheshin në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE) për gjetjen e zgjidhjes për kontestet mes të dyja vendeve. Shumë shpejtë pas kësaj edhe partia e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, i ndërpreu marrëdhëniet me autoritetet qendrore në Prishtinë, kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie në katër komuna me popullatë shumicë serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, u organizuan protesta, si dhe bojkot i produkteve serbe në atë pjesë të vendit. Edhe pse në asnjë moment nuk i tërhoqi ministrat e tij, zëvendësministrat dhe këshilltarët nga kabineti i Haradinjat, LS bëri të ditur se në Kuvend në të ardhmen do të veprojë si opozitë dhe ia ofroi votat edhjetë deputetëve të saj partive opozitare shqiptare që ta rrëzojnë Haradinajn. Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e refuzuan ofertën, duke porositur se nuk do ta rrëzojnë qeverinë “me ndihmën e Beogradit”.
Menjëherë pas vendosjes së taksës vijuan reagime edhe nga Brukseli dhe disa anëtare të caktuara të BE-së, me kërkesë drejtuar Haradinajt për të rishqyrtuar vendimin, që të mund të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pasi që thirrjeve të tilla iu bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përmes Ambasadës së tyre në Prishtinë dhe për emisarëve nga Departamenti i Shtetit kërkuan suspendim të përkohshëm të taksës në mënyrë që të zhbllokohet dialogu, me kërkesën e njëjtë doli edhe Presindeti i shtetit Hashim Thaçi. Me këtë rast, duhet marrë parasysh se Thaçi tashmë ishte në një kontest disamujor me Haradinajn për shkak të kërkesës së tij për “korrigjimin e kufirit” në bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për kontestet me Serbinë, gjë që kryeministri e kundërshtonte ashpër.
Taksa u bë shkas edhe për përçarjen mes partive të koalicionit në Qeverinë kosovare, meqë për suspendimin e sak u angazhua edhe partia e mëparshme e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Lideri aktual i PDK-së dhe atëherë kryeparlamentar Kadri Veseli pohonte se sanksionet ndaj Serbisë e kanë arritur qëllimin e tyre, e kanë kthyer vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare në problemet që i shkakton Beogradi, dhe se duhet të suspendohet për disa muaj, në mënyrë që t’i jepet mundësi dialogut. Përfaqësues të lartë të kësaj partia paralajmëronin edhe votimin e mosbesimit të Haradinajt, për shkak të dëmeve që ia shkakton Kosovës me mospranimin e kërkesave të aleatëve të tyre ndërkombëtar, para së gjithash të SHBA-së.
Dëmet e Serbisë, “leverdia” maqedonase nga taksa dhe “blic-krigu” tregtar maqedonaso-kosovar
Asnjëra prej kërkesave për heqjen e sanksioneve ndaj importit serb, as paralajmërimet nga aleatët ndërkombëtar dhe kërcënimet nga partnerët e koalicionit nuk e lëkundën Haradinajn dhe ai mbeti këmbëngulës në mbetjen e taksës, duke porositur se lirisht mund të ndërrohet nga posti kryeministror, por vendimi do të mbetet. Kështu, taksa mbeti deri në dorëheqjen e tij nga posti kryeministror në muajin korrik, por edhe më pas, si ushtrues i detyrës kryetar i Qeverisë, post që e ushtron edhe ditëve të fundit të këtij viti, duke marrë parasysh faktin se fituesit në zgjedhjet e tetorit nuk po arrijnë të merren vesh rreth formimit të Qeverisë së re.
Në përvjetorin e vendosjes së taksës, në fund të nëntorit të këtij viti, ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit Rasim Lajiq publikoi se humbjet e ekonomisë serbe për shkak të taksës prej 100 për qind në vitin e kaluar arrijnë rreth 400 milionë euro, gjegjësisht se gjatë kësaj periudhe eksporti i përgjithshëm serb ka arritur në më pak se 50 milionë euro, deri një vit më parë i njëjti ka arritur vlerën prej mbi 440 milionë euro. Sipas statistikave zyrtare të Kosovës, nga ana tjetër, sanksionet ndaj Serbisë nuk janë reflektuar në furnizimin e tregut ose në rritjen e çmimeve të produkteve, ndonëse nga Beogradi vinin “paralajmërime” edhe për një efekt të tillë.
Në mesin e atyre që më së shumti “përfituan” nga taksa ndaj Serbisë dhe BeH-së, në të shumtën e rasteve përmendet Maqedonia e Veriut, për të cilën edhe burime serbe edhe ato kosovare pohojnë se në periudhën e përmendur e kanë rritur eksportin në Kosovë për 50 për qind.
E, kur jemi tashmë te marrëdhëniet ekonomike maqedonaso-kosovare, të përkujtojmë në konfliktin mes dy vendeve të gushtit të këtij viti. Me fjalë të tjera, më 11 gusht ishte publikuar se Ministria maqedonase e Bujqësisë ndaloi importin nga Kosova të ikrës dhe peshkut për shumim, për shkak se eksportuesit nuk e kanë siguruar dokumentacionin e nevojshëm për rregullsinë shëndetësore të materialit. Një javë më vonë, Ministria kosovare e Tregtisë dhe Industrisë u përgjigj me ndalimin e importit të mjaltit dhe patateve nga Maqedonia e Veriut. Kontesti u zgjidh pasi që më 5 shtator u takuan përfaqësuesit e institucioneve kompetente e të dyja vendeve dhe, pasi konstatuan se janë tejkaluar problemet nga të dyja palët, i anuluan ndalesat.
Autostrada “Arbën Xhaferi”
Në temën Kosova dhe rajoni, gjithsesi duhet përmendur edhe përfundimin e ndërtimit dhe përurimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, që i lidhë kryeqytetin kosovar me kufirin me Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht deri në vendkalimin kufitar Bllacë.
Bëhet fjalë për autostradë në gjatësi prej 65,5 kilometrave, në të cilën gjendet ura më e madhe në Ballkan, e gjatë shtatë kilometra, ndërsa i tërë projekti, i cili realizoje disa vite me radhë, e kushtoi Kosovën rreth 700 milionë euro.
Në mesin e mysafirëve të shumtë, në solemnitetin e 29 majit në qytetin kufitar të Kosovës, Elez Han, ishte edhe një delegacion nga Maqedonia e Veriut, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, i cili paralajmëroi se edhe shteti ynë do t’i përshpejtojë punët në ndërtimin e autostradës nga Bllaca deri në Shkup.
Kryeministri i Maqedonisë tha se autostrada “Arbën Xhaferi” është një lloj “shpërblimi për durimin dhe për lidhjet e shumta që i kanë Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut në çdo plan“.
– Këtë punën tuaj e konsiderojmë si tonën edhe ne në Maqedoninë e Veriut. Kjo rrugë prej sot do të bëhet udhën që do të mundësojë qarkullimin më bashkëkohor, më të shpejtë dhe më të sigurt të qindra mijëra automobilave, qytetarëve dhe mjeteve të tjera transportuese, që sigurojnë Kosova të radhitet në mesin e 20 vendeve të para me vëllim më të madh të shkëmbimit tregtar me Republikë e Maqedonisë së Veriut, që kap vlerën prej më shumë se 500 milionë euro, tha Zaevi.
Aktivizimi i “Gjykatës ndërkombëtare për UÇK-në”
Procesi që e shënoi gjithi vitin 2019 të Kosovës, duke shkaktuar tensionim në jetën publike dhe para së gjithash atë politike të vendit, gjithsesi është fillimi me punë i Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për krime lufte në Kosovë, në opinion e njohur si “Gjykatë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. Hetimet, siç është paralajmëruar, janë përqendruar në krime të supozuara gjatë periudhës prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Punën formale, ky institucion juridik ndërkombëtar me seli në Hagë, i formuar me ligj të përpiluar nga Bruksel dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, e filloi në janar të vitit 2019, me ftesat që u janë dërguar 11 ish komandantëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.
Në periudhën e ardhshme deri sot, ftesa për t’u lajmëruar para Prokurorisë, në rolin e të dyshuarve ose dëshmitarëve për krime kundër popullatës civile shqiptare dhe serbe në Kosovë gjatë dhe pas luftës së fundit me Serbinë, morën më shumë se 200, sipas disa mediave edhe deri 300, ish-liderë ose pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Thuajse të gjithë iu përgjigjën ftesave, duke porositur njëzëri se në Hagë do të dëshmojnë të vërtetën për pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së UÇK-së, dhe se gjykata i bën padrejtësi Kosovës, meqë Serbia është ajo që ka kryer krime lufte dhe ende nuk është përgjigjur për këtë.
Njëra prej pasojave të aktivitetit të “Gjykatës për UÇK-në” ishte edhe dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, pas të cilës u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 6 tetor, në të cilat fitoi opozita e deritanishme, ndërsa partitë e pushtetit e pranuan disfatën dhe kaluan në opozitë.
Pasi që më 19 korrik njoftoi se ka marrë ftesë për t’u paraqitur para prokurorëve në Hagë si ish-komandant i UÇK-sëi dyshuar për krime lufte, Haradinaj dha dorëheqje, duke porositur se para tribunalit dëshiron të paraqitet si qytetar, e jo si kryeministër i Kosovës. Sipas tij, paraqitja para tribunalit si kryetar i Qeverisë së Kosovës do të paraqiste “precedencë të keqe” dhe do të mund të cenonte sovranitetin e shtetit.
Në mesin e emrave të dalluar që ishin ftuar dhe marrë në pyetje në Hagë janë edhe kryetari i Kuvendit të parë të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryeparlamentari i përbërjes së fundit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili nuk tregoi nëse ka qenë i ftuar në rolin e dëshmitarit ose të dyshuarit.
Mediat kosovare, si edhe ato serbe, spekulojnë se në listën e personave të cilët do të jenë të ftuar në Hagë, mes të tjerëve, është edhe njëri prej themeluesve dhe komandantëve të UÇK-së, presidenti i shtetit Thaçi, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Rruga deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare
Pas dorëheqjes së Haradinajt, presidenti Thaçi tentoi ta parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe u angazhua për formimin e një qeverie teknike, të cilën më në fund do ta drejtonte rivali i tij politik dhe kundërshtar i ashpër, sidomos në raport me zhvillimin e bisedimeve me presidentin serb Vuçiq. Mirëpo, këtë iniciativë e refuzuan të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë edhe PDK-në, të cilën e formoi dhe drejtoi vetë Thaçi deri në zgjedhjen e tij president të shtetit.
E, ja si zhvilloheshin, në pika të shkurtra, ngjarjet, deri në zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor:
Pas vendimit të Haradinajt që të vendosë taksën prej 100 për qind të importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe (LS), ndonëse vazhdoi të marrë pjesë në Qeveri me ministra, zëvendësministra dhe këshilltarë, vendosi të veprojë në mënyrë opozitare dhe ua ofroi partive opozitare shqiptare votat e saj për përmbysjen e Haradinajt.
Si pasojë e humbjes së dhjetë votave të LS-së ishte “mundimi” i vazhdueshëm me shumicën e nevojshme parlamentare të koalicionit që e përbënin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Haradinajt, PDK-ja e kryeparlamentarit Veseli, iniciativa socialdemokrate (Nisma) e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) e zëvendëskryeministrit dhe shefit të diplomacisë Behxhet Pacoli. Si pasojë e rrethanave të këtilla ishte prolongimi i shpeshtë i seancave parlamentare dhe pamundësia që të miratohen një numër i madh i ligjeve.
Situata është komplikuar dukshëm edhe brenda në kuadër të partnerëve të koalicionit, pasi që u ashpërsua konflikti mes Haradinajt dhe presidentit të shtetit dhe themelues dhe ish lider i PDK-së, Thaçi, rreth bisedimeve me Serbinë për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për kontestet mes dy vendeve. Shkurtimisht, Haradinaj i kundërshtoi ashpër angazhimet gjithnjë e më të shpeshta të Thaçit për një lloj “korrigjimi të kufirit” me Serbinë, si zgjidhje për kontestet dhe kusht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve, duke akuzuar Presidentin se bën pazare me kolegun e tij serb Vuçiq, të cilit “dëshiron t’i shesë tokën e Kosovës”.
Pas tentimit të pasuksesshëm të Thaçit për t’i bindur partitë më të mëdha nga pushteti dhe opozita që të formojnë qeveri teknike, Kuvendi i Kosovës më 22 gusht u vetëshpërnda, ndërsa Thaçi i caktoi zgjedhjet për 6 tetor.
Fitorja e opozitës dhe numërimi i pafund i votave
Menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi se fushata 10 ditëshe do të fillojë më 25 shtator, filluan edhe kalkulimet e pretendentëve për marrjen e pushtetit për koalicione eventuale parazgjedhore, prej të cilave disa u realizuan, por jo edhe ai që paralajmërohej, i Lëvizjes opozitare Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Isa Mustafës.
Zyrtarisht, fushata për zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor zgjati dhjetë ditë, prej 25 shtatorit deri në 4 tetor në mesnatë, kur filloi heshtja zgjedhore e cila zgjati deri në mbylljen e vendvotimeve të dielën, në orën 19. Mirëpo, realisht, partitë politike filluan të mobilizohen për zgjedhje thuajse në momentin e njëjtë kur Haradinaj, më 19 korrik, dha dorëheqje.
Sa i përket sjelljes së pjesëmarrësve në zgjedhje – përveç përplasjeve verbale thuajse të secilit me secilin – së paku kur bëhet fjalë për partitë e mëdha dhe koalicionet – fushata, si ajo zyrtare edhe ajo jozyrtare, kaluan dukshëm qetë, njëjtë si edhe vetë dita e votimit. Kështu, vlerësimi i përgjithshëm prej të gjithëve – pjesëmarrësit, vëzhguesit, misionet e huaja, sektori joqeveritar, mediat… – ishte se këto ishin zgjedhje të organizuara më së miri dhe më korrekte që janë mbajtur në Kosovë, e edhe më gjerë – në rajon.
Po atë mbrëmje, disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, janë publikuar rezultatet e para, sipas të cilave më së shumti vota mori VV-ja e Kurtit. E dyta ishte gjithashtu deri atëherë LDK-ja opozitare e Mustafës, e treta ishte PDK-ja e Veselit, ndërsa e katërta AAK-ja e Haradinajt.
Koalicioni i dy partive të tjera nga pushteti i deriatëhershëm, Nisma e Limajt dhe AKR-ja e Pacolit, deri në momentin e fundit ishin në prag të censusit prej pesë për qind të votave të fituara, që në fund KQZ-ja të publikojë se do të ketë 6 deputetë në Kuvendin e ri. Pas ankesave të shumta deri te instancat e ndryshme juridike, që rezultuan me numërime të vazhdueshme të reja të votave, si nga diaspora, ashtu edhe të një numri të madh të vendvotimeve në vend, pas të cilave koalicioni Nisma – AKR sa ishte jashtë, e sa brenda në Parlament, thuajse një muaj e gjysmë pas ditës së votimit, KQZ-ja publikoi se ky koalicion ka marrë 0,002 për qind vota mbi pragun prej pesë për qind.
Sipas rezultateve përfundimtare, VV-ja në Kuvendin e ri ka 29 vende parlamentare, LDK-ja 28, PDK-ja 24, AAK-ja 13 dhe Nisma-AKR 6. Të dhjetë vendet e garantuara me Kushtetutë dhe ligje, vota për përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kosovë i mori, me mbështetje të hapur dhe agresive nga Beogradi, Lista Serbe, ndërsa po aq vota në Kuvendin prej 120 anëtarësh fituan edhe përfaqësuesit e gjashtë bashkësive më të vogla etnike – turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët dhe goranët.
Bisedimet e vështira për formimin e Qeverisë mes Kurtit dhe Mustafës
Përkundër zvarritjes së madhe me publikimin e rezultateve përfundimtare, që në mbrëmjen pas mbylljes së vendvotimeve ishte e qartë se fituesit e zgjedhjeve të shtata parlamentare prej përfundimit të luftës në vitin 1999 janë VV-ja e Kurtit dhe LDK-ja e Mustafës. E vetmja gjë që nuk dihej në disa orët e para ishte se cila prej këtyre dy partive do të jetë e para, e cila e dyta. Në fund, pas gjithë kësaj odiseje me numërimet, rinumërimet, anulimet dhe pranimin e votave, doli se VV-ja me 26,27, ndërsa LDK-ja e dyta me 24,54 për qind të votave të fituara, gjë që rezultoi me një vend parlamentar më shumë për partinë e Kurtit.
Sipas marrëveshjes parazgjedhore të këtyre partive, kreu i radhës i Qeverisë së ardhshme do të jetë bartësi i listës së partisë që do të fitojë, madje edhe me një votë më shumë. Kjo në mënyrë automatike do të thoshte se ekziston pajtueshmëri nga LDK-ja që kryeministër të jetë Kurti. Menjëherë filluan bisedimet për programin e Qeverisë së ardhshme dhe për ndarjen e resorëve ministrorë, për çka grupe pune të dy partive pas disa takimeve arritën marrëveshje.
Dhe, përderisa pritej se do të tejkalohen edhe disa dilema, për të cilat flitej në opinion, rreth ndarjes së resorëve në Qeveri, thuajse krejtësisht papritur u paraqit problemi i cili u bë thuajse i patejkalueshëm: Partia e radhitur e dyta në zgjedhje LDK-ja kërkoi që partneri i ardhshëm në pushtet t’ia garantojë vendin e presidentit të shtetit, pasi që në mars të vitit 2021 t’i skadojë mandati presidentit aktual Hashim Thaçi. VV-ja nuk e pranon këtë kusht, duke kërkuar që për këtë të bisedohet kur të vjen koha, derisa LDK-ja nuk heq dorë nga kjo kërkesë.
Marrëdhënie ndëretnike
Vendosja e taksës për produktet serbe, që praktikisht do të thoshte thuajse ndërprerje të importit nga Serbia, dukshëm i ka ftohur marrëdhëniet ndëretnike edhe ashtu të këqija serbo-shqiptare në vend. Mirëpo, ky nuk ishte problemi i vetëm në këtë fushë.
Situata u bë potencialisht shpërthyese, ndërsa u regjistruan edhe disa incidente mes popullatës lokale dhe policisë, pas disa aksioneve të forcave speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, të populluar me popullatë shumicës serbe. Në një aksionin më të madh të tillë, të zbatuar në mëngjesin e 28 majit në komunat me popullatë shumicë serbe janë arrestuar 30 persona, shumica prej të cilëve pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për krim të organizuar, kontrabandë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale. Të arrestuarit ishin kryesisht persona të nacionalitetit serb, por kishte edhe disa shqiptarë të cilët kanë bashkëpunuar me ta në aktivitetet kriminale.
Aksioni shkaktoi reagim të serbëve lokal, të cilët kundërshtuan policinë, me ç’rast një pjesëtar i tyre edhe ishte plagosur. Në mesin e të arrestuarve për shkak të parandalimit të personave zyrtarë në ushtrimin e detyrave ishin edhe dy pjesëtarë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, një rus dhje një serb lokal. Vijoi nota diplomatike nga Rusia me kërkesë për lirimin e shtetasit të saj, të cilin më vonë kryeministri Haradinaj e shpalli persona non grata, për shkak të “veprimeve kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit”.
Ndaj të gjitha aksioneve të Policisë së Kosovës në vendet me popullatë shumicë serbe, duke përfshirë edhe ato për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, që ndodhi në janar të vitit 2018, Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe reaguan me akuza se Prishtina i ndërmerr këto veprime në mënyrë që të frikësojë popullatën serbe dhe të shkaktojë shpërnguljen e saj nga Kosova.
Aktakuza kundër të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit
Gjatë periudhës së kaluar, nga vrasja e Ivanoviqit, janë realizuar edhe disa aksione për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, në mesin e të cilëve shumica janë nëpunës policor të nacionalitetit serb.
Një aksion i tillë i fundit është realizuar në orët e hershme të mëngjesit më 16 tetor, me ç’rast janë arrestuar dy nëpunës policorë dhe djali i funksionarit të tretë lokal policor, i cili nuk ishte gjetur dhe ende është në kërkim.
Përfundimisht, më 2 dhjetor të këtij viti Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë para Departamentit special të Gjykatës Themelore të Prishtinës kundër gjashtë personave, prej të cilëve tre janë në paraburgim, ndërsa kundër të tjerëve është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Në kumtesën e Prokurorisë bëhet e ditur se të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim të grupit të organizuar kriminal”, “Keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, “Ndihmë në zbatimin e veprës penale Vrasje e rëndë”, „Posedim të paautorizuar të armëve”, “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëveprim” dhe “Manipulim me dëshmi në bashkëveprim”.
– Personat N.S. dhe R.B., të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R., Z.V. dhe Zh. B., të cilat janë në arrati dhe për të cilat gjykata kompetente shpalli urdhër për arrestim dhe fletarrest ndërkombëtar, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal në strukturë dhe hierarki, me roli formalisht të përcaktuara, grup kriminal që nuk është formuar rastësisht, por vepron prej vitit 2011 e këndej, e kryesuar nga personi Z.V. dhe M.R., që janë në arrati (…) me ç’rast veprimet e këtij grupi rezultuan me vrasjen e Oliver Ivanoviq, pasi që të njëjtat paraprakisht ia ndezën makinën, njoftoi Prokuroria Speciale.
Mediat e Prishtinës publikuan se të gjithë gjashtë të akuzuarit janë pjesëtarë të bashkësisë etnike serbe në Kosovë.
Sipas autoriteteve dhe mediave të Prishtinës, të dyshuarit kryesor janë të strehuar në Serbi dhe janë nën mbrojtjen e autoriteteve në Beograd, të cilat akuzohen se tentojnë që në çfarë mënyre të parandalojnë të zbulohet e vërteta për vrasjen e Ivanoviqit. Siç mund të pritet, aktakuzat e njëjta vijnë edhe nga Beogradi në llogari të Prishtinës.
Oliver Ivanoviqi, njëri prej liderëve të serbëve të Kosovës, është vrarë më 16 janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut, në afërsi të shtëpisë së tij, para selisë së partisë së tij – Iniciativë qytetare Serbi, demokraci, drejtësi.