Raiola: Nuk ka asgjë për Pogban, askush nuk më ka kontaktuar

Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola, ka thënë se nuk ka asgjë të re në spekulimet për largimin e mesfushorit francez nga Manchester Unitedi, duke shtuar se askush nuk i ka shkruar atij deri më tani. Vetë Paul Pogba e kishte bërë të ditur dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar të verës, gjatë kohës sa ishte me pushime në Kinë, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

“Mendoj se, për mua, kjo mund të jetë koha e duhur për ta pasur një sfidë të re diku tjetër”, kishte thënë ylli francez.

Pastaj, në fillim të këtij muaji, agjenti i Pogbas, Mino Raiola, tha se ai është në proces për t’ia gjetur një klub të ri klientit të tij, pas lajmeve se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin.

Megjithatë, përkundër që mediat botërore raportojnë se Real Madridi dhe Juventusi janë të interesuar për 26-vjeçarin, trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer”, ka insistuar se Manchester Unitedi nuk ka marrë asnjë ofertë për Pogban.

Raiola u pyet për të ardhmet e disa prej klientëve të tij – Pogbas, Moise Kean dhe Mario Balotetollit – gjatë kohës sa klienti i tij i tjetër, Matthijs de Ligti, po i kryente testet mjekësore në Juventus.

“Nuk ka asgjë, askush nuk më ka shkruar. Unë e jetoj jetën time ditë pas dite. E njëjta vlen edhe për Balotellin. Unë jam këtu sot, nuk e di se ku do të jem nesër”, është shprehur 51-vjeçari.

Raiola e komentoi edhe transferimin e De Ligtit në Juventus, duke thënë se gjiganti italian është klubi më i mirë për holandezin, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”.

“Nuk është në pyetje se kush e deshi më së shumti, por Juventusi është klubi më i mirë për TË. Është e rëndësishme për një mbrojtës të vijë në Itali. Ai mund të mësohet të jetë më i miri në botë këtu”, shtoi Raiola.