Kimi Raikkonen duket se ka nisur një “luftë të ftohtë” me Ferrarin në garat e mbetura të këtij sezoni. Finlandezi do të largohet nga “kokëkuqja” në fund të këtij sezoni, vendim që Ferrari e mori në garën e Monzës, dy muaj më parë dhe që nuk i ka pëlqyer aspak kampionit të botës 11 vite më parë. “Kam shumë vite në këtë sport dhe nuk kam mbetur aspak i habitur nga ai vendim. Nuk ka qenë një ide apo vendim i imi largimi nga Ferrari. Ndaj nuk jam aspamk i trishtuar”, tha Raikkonen.
“Iceman” duket vërtet i akullt në këto deklarata dhe shprehet se në katër garat e mbetura do të vijojë kampionatin e tij personal, pa menduar shumë për gjërat e tjera. “Vettel dhe Botërori? Tashmë kjo është një çështje që nuk më përket me mua”, tha Kimi Raikkonen, që sezonin e ardhshëm do të pilotojë një makinë Sauber, duke i lënë vendin Charles Leclerc.
Duke folur për pilotin e ri francez që do të pilotojë Ferrarin në vendin e tij, finlandezi thotë: “E njoh pak. Shumë pak njoh edhe Giovinazzi, që do ta kem si shok skuadre te Sauber vitin tjetër. Unë uroj që Charles të bëjë një figurë të mirë vitin tjetër te Ferrari”.