Madrid, 18 tetor – Kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj i bëri apel sot liderit katalanas, Karles Puxhdemon të “veprojë me maturi” pasi po afrohet afati për të hequr dorë nga pavarësia. “Kërkoj nga Puxhdemon të veprojë me maturi, në mënyrë të balancuar, t’i vendos interesat e qytetarëve në plan të parë”, theksoi sot Rahoj në Parlamentin spanjoll. Zëvendëskryeministrja spanjolle, Soraja Saenz de Santamaria në seancën e sotme parlamentare deklaroi se “autoritetet spanjolle do të kërkojnë heqjen e autonomisë së Katalonjës, nëse liderët e kësaj krahine nuk i tërheqin kërkesat e veta për pavarësi”. “Nëse lideri separatist, Karlos Puxhdemon nuk e siguron përgjigjen e kënaqshme deri nesër, atëherë ai do ta provokojë aktivizimin e nenit 155 të Kushtetutës”, deklaroi De Santamaria nga foltorja e Parlamentit. Neni 155 i Kushtetutës së Spanjës i lejon Qeverisë në Madrid drejtpërdrejt të intervenojë në drejtimin e rajonit autonom dhe t’i japë fund sistemit të vetëqeverisjes që është në thelb të rendit demokratik të vendit. Pas referendumit të suksesshëm për pavarësinë e Katalonjës, kryetari i Qeverisë së Katalonjës, Karlos Puxhdemon paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së këtij rajoni, por me veprim të anuluar. Qëllimi i këtij vendimi është të hapet hapësirë për bisedime me Madridin, ndërsa autoritetet qendrore i dhanë afat Barcelonës deri nesër të japë përgjigje precize nëse do të shpallë apo nuk do të shpallë pavarësi.