Fantazisti brazilian Rafinha la pas dëmtimin që e mbajti jashtë fushave të lojës për disa muaj dhe u vu në dispozicion të trajnerit të Barcelonës Ernesto Valverde, teksa në dy ndeshje miqësore, ka dhuruar paraqitje mjaft të mira, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve.
Valencia është në pole për të marrë shërbimet e tij sezonin e ardhshëm dhe po negocion me Barcelonën për një huazim me të drejtë blerjeje për 20 milionë euro, por në orët e fundit ka hyrë në garë fuqishëm edhe Fiorentina.
Klubi vjollcë ka nisur negociatat me drejtuesit e Barçës, duke treguar gatishmëri për të paguar 18 milionë menjëherë dhe 3 të tjera në formë bonusi, për të marrë shërbimet e fantazistit brazilian në Firenze.
Rafinha është një njohës i mirë i kampionatit italian, pasi ka luajtur te Interi në gjysmën e parë të vitit 2018, ku u bë protagonist në kualifikimin e zikaltërve në Champions, ndërsa presidenti Commisso dëshiron ta vërë në dispozicion të Montellës te Fiorentina.