E ardhmja e Rafinha është ende e paqartë, mesfushori i Barcelonës do të shitet patjetër dhe klubi po kërkon që ta zyrtarizojë brenda muajit qershor, që të regjistrojë në bilancet e këtij viti të ardhurat nga shitja e brazilianit.
Për momentin Valencia është klubi që ka shfaqur interes të vërtetë për 26-vjeçarin. Marrëveshja me Barcelonën mund të mbyllet për 15 milionë euro, duke qenë se verën e ardhshme i skadon kontrata me lojtarin. Më pak se gjysma e çmimit që i kërkoi Interit sezonin e kaluar (38 mln euro).
Rafinha rikthehet nga një dëmtim i gjatë dhe tek Valencia kanë vetëm një dyshim: A do të pranojë braziliani kushtet e tyre?
Klubi nga “Mestalla” nuk ia ofron dot pagën 3 milionë euro që lojtari merr aktualisht dhe për më tepër nuk i jep siguri për një vend në formacion, pasi duhet të përshtatet me skemën 4-4-2 të trajnerit Marcelino. Për këtë duhet të konkurrojë me Parejo dhe të tregojë aftësitë e tij për të fituar një vend titullari.
Klubet e kanë të thjeshtë akordin mes tyre, tani pritet të shikohet qëndrimi që do mbajë vetë Rafinha.