“Ingranazhet” e një mekanizmi që nuk duket po lëvizin ende për të mundësuar rikthimin e Neymar te Barcelona. Një operacion që nuk është i thjeshtë, por janë duke u ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Sipas informacionit të “Catalunya Ràdio, Andre Cury, “skauti” i Barçës në Brazil, do të ketë një rëndësi të madhe në këtë kthim të mundshëm.
Cury, sipas këtij informacioni, është takuar para Krishtlindjeve me njerëzit e sulmuesit brazilian, pastaj bisedoi edhe me agjentin izraelit, Pini Zahavi, i cili mori pjesë në transferimin e lojtarit te PSG. Edhe djali i Pepe Costa, Álvaro Costa, është pjesë e kësaj “mësymjeje”, si pjesë e hartimit të një strategjie për të mundësuar kthimin e brazilianit te Barcelona.
Të gjitha këto veprime nuk do të bënin gjë tjetër, veçse të përpiqeshin të përmbushnin dëshirën e lojtarit për t’u kthyer në “Cam Nou”. Ai ka mbështetjen e dhomës së zhveshjes së Barcelonës, ndërsa tifozët janë disi më të ndarë.
Më hermetik është klubi, i cili e di se vendimi i rikthimit të Neymar mund të jetë i papëlqyeshëm për shkak të mënyrës se si lojtari e la Barçën. Sidoqoftë, faktorët e tjerë shtyjnë që sulmuesi i njohur të bëjë prapakthehu, duke e lënë PSG dhe Ligue 1, ku nuk ndihet i plotësuar profesionalisht.