Laura PAPRANIKU
Shkup, 28 janar – Të shtunën janë bërë plot 73 vjet që kur në eterin e radios kumboi fjala shqipe. E parë nga kjo distancë kohore, Radio Shkupi – Programi në gjuhën shqipe përbën padyshim një gur të çmuar në gjerdanin e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, shkruan gazeta KOHA. Për dekada me radhë, Radio Shkupi nuk ishte thjeshtë vetëm një medium. Ishte shkollë që duhej të kujdesej për emancipimin dhe edukimin e mesave; ishte një dritare prej ku duhej të shihej në horizont bota e qytetëruar; ishte transmetues i mendimeve progresiste; ishte vendi ku mbidheshmin intelektualët dhe prej ku bëhej shumë më tepër se sa të transmetohej muzikë dhe lajme të ditës. Sot, kur bota ka ecur përpara me teknologjinë informative, duket sikur radios në përgjithësi i është zbehur pushteti. Pavarësisht sfidave, Radio Shkupi në lumin e gjerë të mediumet radiofonike mban primatin e shtrirjes në gjithë territorin e Maqedonisë. Pashmangshmërisht vazhdon të mbahet ende fortë në dy shtyllat kryesore të saj: muzikën e mirëfilltë dhe programacionin e larmishëm.
Digjitalizimi i nisur para disa viteve ka hapur shpresa për perspektiva të reja, ndërsa mundësia për emetimin 24 orë të programeve në gjuhën shqipe sigurisht se do ta kthejnë Radio Shkupin në formën e saj më të mirë për të nxjerrë në pah profesionalizmin dhe, për ti detyruar institucionet kompetente të jenë në nivelin e përgjegjësive. Me këtë synim, Radio Shkupi kërkon të ec përpara si dhe të pretendojë mediumin e përgjegjëshëm për ndikimin dhe rolin në që ka në shoqëri, pa harruar edhe peshën e historisë së thuajse shtatë dekada e gjysmë. Për momentin në kuadër të programeve të Radio Shkupit emetohet 17 orë program në gjuhën shqipe, 5 orë në gjuhën turke dhe nga 30 minuta program në gjuhën rome, vllahe, boshnjake dhe serbe.
Kryeredaktori Haki Mustafa, thotë se “gjatë gjithë viteve të funksionimit Radio Shkupi ka arritur të përmbushë mision e vet si zë i nevojës së popullatës shqiptare në Maqedoni”. Këtu, plotëson më tej ai, kanë parakaluar një numër i madh intelektualësh të cilët e zhvilluan dhe e ngritën këtë medium. Ndoshta gjatë një periudhe Radio Shkupi ishte zëri i vetëm medial në gjuhën shqipe që depërtonte në çdo cep të Maqedonisë, si dhe jashtë saj. Mustafa, tregon se “më 28 janar të 1945 ishte zëri i Vllado Malevskit që u dëgjua në etër me frazën e njohur Ju flet Radio Shkupi”. Deri më 4 maj 1948, funksiononte me ndërprerje në emetim, derisa u angazhuan Paraskieva Maleska dhe Nermine Keti, të cilat për çdo ditë e begatonin programin. Në vitin 1952 për herë të parë filloj të emetohet emisioni për fëmijë, kurse një dekadë më vonë edhe emisioni që u kushtohej femrave. Në vitet e ’60 programi në gjuhën shqipe kishte edhe redaktorin e parë, Talat Avçen, kurse në vitin 1967 u emërua edhe kryeredaktori i parë Murteza Peza. Kështu, Programi në gjuhën shqipe fitoi një fizionomi të re ku emisioni informativ ishte i veçantë. Në ndërkohë u formuan edhe redaksi të tjera si ajo e kulturës, arsimit, ekonomisë, nisi transmetimi i emisioneve për fshatin dhe emetimi i radio-dramave.
Gjatë dekadave në vijim në postin e kryeredaktorit erdhën Muamer Vishko, Rrahim Ganiu, Rufki Kiki, Ferid Fejzullahu, Anton Sereqi, Mahi Nesimi, Haki Mustafa, Besnik Mehmeti dhe Reshat Kamberi. Në vitet e ’80 në radio Shkup punohej në përpilimin e skemës së re ku do të dilnin në pah shprehjet e shumëllojshme të gazetarisë. Filluan emisionet kontakteve, emisionet informative ditore dhe ato javore. Në këtë periudhë gjithashtu u ndërmarrën disa hapa për pasurimin e fonotekës ku incizoheshin shumë aktivitete të shoqërive kulturore-artistike të asaj kohe si dhe huazim i emisioneve muzikore nga radio-televizioni i atëhershëm i Prishtinës. Gjatë komunizmit, Radio Shkupi, si dhe shumë institucione të tjera shqiptare përjetuan fazën më të rëndë, atë të diferencimit. Iu ndërrua deri emri, Radio Skopje duke iu referuar toponimit në maqedonisht. Me ardhjen e pluralist, u ndje edhe këtu fryma e ndryshimeve, me të mirat dhe të këqijat që solli sistemi.(koha.mk)