Patriot LUMANI
Strugë, 26 shkurt – Bërja e analizave laboratorike në Spitalin e Strugës, është një sfidë më vete për qytetarët struganë, sepse përveç faktit që u duhet të presin me orë të tëra në radhë, këtë duhet ta bëjnë në një korridor tepër të ngushtë, ku mundësia e transmetimit të viruseve apo sëmundjeve ngjitëse prevalon, shkruan gazeta KOHA. Pavarësisht përpjekjes së të punësuarve që të vihet njëfarë rregulli dhe të ofrohet një shërbim cilësor, hapësira e ngushtë si dhe numri i madh i pacientëve krijojnë një amulli të përditshme në korridorin e spitalit, ku ata që e pësojnë janë qytetarët.
Mentor Ibrahimi, drejtor i Spitalit të Strugës, thotë se është i njohur me këtë gjendje, e cila, sipas tij, vije më shumë nga numri i madh i pacientëve që i drejtohen Spitalit të Strugës për t’i bërë analizat në laboratorin bio-kimik si dhe pamjaftueshmëria hapësinore. Sipas tij, laboratori i spitalit, është një nga më të ngarkuarit, sepse aty, sipas tij, gravitojnë pacientë jo vetëm nga Struga, por edhe nga Dibra dhe qytetet e tjera, gjë që krijon radhë të gjata.
Ibrahimi zgjidhjen e kësaj problematike e sheh pas risistemimit hapësinor, ndërhyrje e cila me shumë gjasë do të ndodhi në një kohë të ardhme nëse do vije deri te ndërtimi i Spitalit të Strugës. “Pavarësisht që ne si spital në disa raste kemi marrë mirënjohje për shërbimin cilësor që u ofrojmë pacientëve të Strugës dhe më gjerë është evidente që Spitali i Strugës, ballafaqohet me pamjaftueshmëri hapësinore dhe kushte jo të përshtatshme funksionimi. Edhe kjo problematikë që ju keni ngritur vjen si pasojë e kësaj situate pamjaftueshmërie hapësinore dhe rritjes së kërkesave për analiza laboratorike. Më herët në atë laborator janë kryer rreth 50 analiza, ndërsa këto ditë numri ka kaluar njëqind të tilla. Ne prej para 8 vitesh kemi dorëzuar projektin për ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë, projekt i cili në rast se do të zbatohet, do të thotë shumë për Strugën dhe një shërbim edhe më të mirë spitalor”, thotë për KOHA, Ibrahimi.
Nevoja për ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë apo rikonstruimin e këtij ekzistuesit, është imediate dhe e domosdoshme në funksion të një shërbimi më cilësor ndaj pacientëve. Nga rajoni i Strugës dhe qyteteve fqinje kanë ngritur shqetësimin uniformat e bardha në disa raste. Ata të thonë se pavarësisht shërbimit cilësor që marrin pacientët, është e domosdoshme që të bëhet rinovimi gjeneral i godinës ekzistuese ose të ndërtohet një i ri, sepse kushtet e tanishme në Spitalin e Strugës, nuk janë ato që duhet të jenë të një qendre rajonale spitalore ku trajtohen pacientë nga i gjithë jugperëndimi i Maqedonisë apo nga qytetet fqinje të Shqipërisë. Ndërkohë në lidhje me këtë problematik në opinionin strugan përflitet se pas investimeve dhe ndërtimit të Spitalit të ri në Ohër, shteti nuk ka më interes ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë, pavarësisht premtimeve që janë dhënë në të kaluarën nga titullarët e dikasterit të shëndetësisë. Sipas këtyre pretendimeve, edhe në drejtimin e Spitalit po ndiqet praktika e sportelizimit që u ndoq me një sërë institucione shtetërore në Strugë, në llogari të Ohrit. Spitali i Strugës, pavarësisht problematikave të shumta, viteve të fundit ka qenë një nga spitalet në rang Maqedonie që ka marr vlerësime pozitive për nivelin e larët të shërbimit ndaj pacientëve dhe, para tre viteve, nga dikasteri i Shëndetësisë, u zgjodh si Spitali i tretë më i mirë në Maqedoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.