Bujar KURTAJ
Shkup, 13 shtator – Finalisti i vitit të kaluar, KF Shkëndija rrugëtimin e saj drejt trofeut të dytë në historinë e saj e vazhdon me përballjen ndaj Rabotniçkit, një kundërshtar i njohur ku si në kampionat, poashtu edhe në Kupë, përballjet me “romantikët” janë pothuajse me ekuilibër të plotë. Me vendim të Federatës Futbollistike të Maqedonisë, Rabotniçki nikoqir i kuqezinjve nuk do të jetë në stadiumin “Filipi i dytë”, por në lagjen “Gjorçe Petrov”, duke marr parasysh se “Filipi i dytë” do të jetë i rezervuar për sfidën e parë në grupe në Ligën Evropa, në mes Vardarit dhe Zenitit, që do të zhvillohet të enjten në orën 21.05. Ndërkohë, pas kiksit të papritur në kampionat ndaj Pobedës (3:3), djemtë e trajnerit Qatip Osmani kanë tragete të qarta dhe në përputhshmëri me të njëjtat, thonë se kanë obligim të kërkojnë fitore në çdo ndeshje. Kështu mendon edhe Izair Emini, futbollisti i cili këtë verë u rikthye në Tetovë dhe në ndeshjen e tij të parë shënoi gol.
Për gazetën KOHA, Emini flet për pritshmëritë ndaj Rabotniçkit si dhe komenton golin e parë të cilin e shënoi ndaj Pobedës. “Shkëndija ka tragete të qarta dhe në përputhshmëri me të njëjtat, kemi obligim të kërkojmë fitore në çdo ndeshje. Normal bëhet fjalë për Kupë ku luhen dy ndeshje dhe ne duhet të menaxhojmë gjërat për të qenë në pozitë sa më të mirë para ndeshjes së kthimit në terrenin tonë. Ne luajmë për fitore në çdo takim dhe besoj se mund t’ia dalim edhe përballë Rabotniçkit për të cilët kemi shumë respekt”, u shpreh Emini.
“Sigurisht gjithmonë është bukur kur shënon që në ndeshjen e parë, posaçërisht kur flitet për lojtarë të avancuar nga të cilët gjithmonë kërkohet goli. Por, sinqerisht e kisha ndërruar golin me tre pikët, pasi gjithmonë për mua interesi kolektiv është para atij personal. Tani duhet të shikojmë para, pasi besoj se kemi potencial për gjëra të mëdha”, përfundoi Emini.
Ndryshe, fituesi aktual i Kupës, KF Pelister, mbrojtjen e trofeut e vazhdon në Manastir, ku përballë do të ketë skuadrën e Borecit, anëtarin e Ligës së dytë. Një kundërshtar i lehtë dhe që nuk pritet të ndodh ndonjë befasi. Derisa, bie në sy përballja mes dy skuadrave shqiptare, asaj të Ligës së pare KF Renova dhe KF Struga Trim Lum nga Liga e dytë. Nikoqir i përballjes së parë do të jetë Renova dhe në bazë të kualitetit, Renova pritet të jetë skuadra e cila do të vazhdoj garat në Kupë. Ndërkohë, ndeshjet e para luhen sot (e mërkurë) në ora 15.30, ndërsa ato kthyese më 18 tetor.
Dyshet:
Sileksi – Akademija P.
Rabotniçki – Shkëndija
Skopje – Euromilku
Pelisteri – Boreci
Kozhuvi – Teteksi
Bregallnica – Pobeda
Renova – Struga TL.