Adrien Rabiot duket se dështoi me planin e tij për të “grabitur” sa më shumë para nga klubet më të mëdha të Europës që shfaqën interes për të, duke qenë se ishte lojtar i lirë.
Gjithsesi, pas shumë kohëve heshtje, vetë mesfushori francez ka menduar të ndezë pak interes për të.
Aktualisht Rabiot ndodhet me pushime në Itali, së bashku me nënën e tij, e cila është njëkohësisht edhe agjentja e futbollistit.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport” dhe për “Tuttosport”, Rabiot deklaroi se i pëlqen shumë Italia si vend, madje theksoi se është duke negociuar me Juventusin, për t’u veshur bardhezi.
“Është e vërtetë, Italia më pëlqen shumë. Pushimi këtu është i mrekullueshëm, qetësohesh dhe rigjenerohesh shumë mirë. Një sezon impenjativ më pret mua”, tha fillimisht 25-vjeçari.
“Juventus më ka kërkuar dhe kemi biseduar diçka, por nuk mund të them asgjë. Akoma nuk e di ku do të luaj. Juve është një klub i madh ku çdo lojtar i mirë dëshiron të luajë. Manchester United? Vlen e njëjta gjë. Do të duhet të vendos, tani jam me pushime, së shpejti do ta merrni vesh”, deklaroi Rabiot.
Ende nuk dihet se ku do të jetë e ardhmja e mesfushorit, por Juventus dhe Manchester United janë pas tij. Dy klube që mund t’i plotësojnë kërkesat ekonomike të francezit, që do të largohet nga PSG pas sherrit me drejtuesit.