Teheran, 2 dhjetor – Autoritetet iraniane sot kumtuan se e kanë zbuluar identitetin e personave të involvuar në vrasjen e ekspertit për fizikë bërthamore në vend, Mohsin Fahrizade.
“Ministria iraniane e zbulimit i zbuloi identitetet e personave lidhur me vrasjen e javës së kaluar të Mohsin Fahrizade”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, transmeton agjencia Anadollu.
Ai për televizionin shtetëror iranian deklaroi se në vijim është hetimi detajues për atentatin dhe se Irani do të ndërmarrë hapa në pajtim me rezultatet e këtij hetimi.
Ministri iranian i zbulimit, Mahmud Alevi, para tre ditësh deklaroi se Irani ka mbledhur informacione të caktuara për atentatin, por nuk zbuloi detaje.