Unë jam në këmbë, nuk u rrëzova. Jam me ballin lart dhe shikoj në sy këdo. Nëse prapa përpjekjes për linçimin tim qëndron dikush nga politika, ta dijë se sot jam më i fortë. Kam qytetarët me vete. Zëshëm, forcë e kënaqësi duke parë në sy kurthaxhinjtë e dështuar. Unë jam gati për çdo sfidë! “Ra ky mort dhe u pamë”, thoshte Kadare. Ndodhi ky incident me Fiks dhe krejt shqiptarët më panë me sy tjetër, me sytë e së vërtetës, jo ato të rrenës
Nga dr. Asim MUSA
Shkrimtari ynë i madh kombëtar Ismail Kadare ka një novelë që e titullon “Ra ky mort e u pamë”. Ai tregon sesi ngjarjet e dhimbshme e të përgjakshme të vitit 1981 në Kosovë shërbyen që ne të njiheshim më mirë me njeri tjetrin, mes vete, mes pjesëve të kombit. Unë nuk kam patur ndonjë mort. Si profesionist prej 23 vjetësh në mjekësi i kam ofruar shërbimet e mia politikës në rolin e ( drejtorit në të dy spitalet e qytetit të Strugës për dy vjet e gjysmë dhe së fundmi 16 muaj ne rolin e zëvendësministrit të Shëndetësisë)
E bëj këtë me një lloj sakrifice. Mjekësia është dashuria ime e jetës dhe asaj, jetës po dua t’ i shërbej brez pas brezi. Edhe vajzat e mia kanë bërë këtë zgjedhje jetësore. Vazhdoj ta zhvilloj profesionin e kirurgut një ditë në javë në institucionin amë dhe ndihem në paqe me veten për këtë që bëj në këto kohëra të çuditshme. I shlyej borxhin komunitetit tim, struganëve (kërçovarëve, dibranëve, me po të njëjtin përkushtim u shërbej edhe qytetareve nga Prrenjazi, Pogradeci, Korça) e më gjerë.
Mirëpo kjo që bëj mbase s’është kuptuar. Mbase dikush nga politika është xheloz për profilin tim të lartë profesional, këtej dhe andej kufirit. Mbase dikush nga bashkëkombasit tanë të Shqipërisë nuk e di si funksionon sistemi ynë shëndetësor, sesi një shtetas i saj duhet të paguajë në spitalet tona (në bazë te çmimoreve për pacientët privatë). Kësisoj, dikush nga Fiks Fare i Top Channel, emisioni popullor i shndërruar në institucion i besueshëm i luftës kundër korrupsionit dhe më gjerë, ka vendosur me spektakolarizu kontaktin me mua për një operacion të rrejshëm. Zhvillimin e dini vetë. Si e thashë më sipër, unë s’bëra asgjë të paligjshme dhe kjo kuptohet qartë. Luftërat e mëdha kanë dhe viktima të pafajshme.
Gjeratorja e mediave sociale s’merret me përgënjeshtrime, por me gjahun e klikimeve. Sa të vesh e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka shkuar në cepin tjetër të botës. Mirëpo në botën reale, megjithatë gënjeshtra ka jetë të shkurtër si këmbët e saj. Falë kësaj që ndodhi, pa dashjen time, unë sot jam bërë edhe më i njohur. Përballë gënjeshtrës, unë kam të vërtetën time që e dinë të gjithë. E dua profesionin tim dhe politikën e shoh si shërbim. Dhe për të treguar se s’kam kurrfarë gjakimi për pushtet, thashë se jam gati të tërhiqem.
Kjo që më ndodhi mua (dhe mund t’i ndodhë kujtdo) ka paradoksalisht shumë anë të dobishme. Shumë qytetarë që më njihnin dhe s’më njihnin, publikisht, me shkrim e me gojë ma kanë shprehur solidaritetin, mirënjohjen dhe besimin tek unë. Autoritetet publike në krejt viset tona etnike gjithashtu. Fëmijët e mi morën impulse të reja për t’u ndjerë krenarë me babën e tyre. Ndaj unë e fal ushtarin e Fiks-it që sipas një loje të padijes së ligë, donte të fuste gishtat në hundën apo sytë e mi. Fatmirësisht siç shihet në video, dështoi. Paralajmërimi bombastik për korrupsion 1000 € ishte blof (na doli që edhe dhurata e insistuar disa herë për kafe, ku mu aty qëndron vlera, virtyti, modestia dhe edukata ime familjare dhe profesionale)
Gjithsesi e falënderoj Fiks Fare që nuk besoj se ka patur qëllim të keq ndaj meje dhe që ka shprehur gatishmërinë të më jap hapësirën për ta ofruar të vërtetën time. E quaj të mbyllur incidentin. Nuk kam ndërmend të merrem me shkaqet e tij, por me dobinë publike të tij.
Një problem ekziston megjithatë! A ka një problem në trajtimin shëndetësor të pacientëve të vendeve tona në spitalet respektive? Po, ka! Çdo vit tek ne trajtohen mijëra pacientë nga Shqipëria. Ata besojnë tek sistemi ynë shëndetësor ashtu si ndodh dhe anasjelltas. Pse të mos punojmë për një Fond të përbashkët sigurimesh shëndetësore? Nëse ai do ekzistonte, s’do ndodhte incidenti me Fiks Fare! Unë jam një mjek i ofruar politikës. Shërbimi publik është pjesa e përbashkët e jona. Madje, dhe me mediat e shëndetshme. Unë do t’i shërbej publikut në çdo rol kur të thirrem. Humanizmi im në këto vite është përkthyer në simpati dhe solidaritet të qytetarëve, intelektualëve ndaj meje. Kapitali im moral, imazhi im publik është rritur edhe falë incidentit me Fiks-in, të cilin e falënderoj sërish.
Unë jam në këmbë, nuk u rrëzova. Jam me ballin lart dhe shikoj në sy këdo. Nëse prapa përpjekjes për linçimin tim qëndron dikush nga politika, ta dijë se sot jam më i fortë. Kam qytetarët me vete. Zëshëm, forcë e kënaqësi duke parë në sy kurthaxhinjtë e dështuar. Unë jam gati për çdo sfidë!
“Ra ky mort dhe u pamë”, thoshte Kadare. Ndodhi ky incident me Fiks dhe krejt shqiptarët më panë me sy tjetër, me sytë e së vërtetës, jo ato të rrenës. Ndaj sot jam më i fortë se dje, më i qetë se dje. (koha.mk)
(Autori është urolog në spitalin e Strugës dhe ish-zëvendësministër i Shëndetësisë)