Veturat lëvizin avash në rrugën e 56-të në periferi të Vancouverit në Kanada, deri në çastin kur rrethojat e betonta i ndalin beftaz ato.
Me veturën time të marrë me qira përshkoj barrierat e shumta për t’u ndalur në një kioskë, ku një rojë kufitare amerikane skanon pasaportën time. I tregoj se sapo kam ardhur nga pjesa tjetër e kontinentit dhe ai mundohet të më udhëzojë në atë që duket të jetë shqetësim i mirëfilltë.
“E di se ku po shkon?”, pyet ai, duke aluduar tërthorazi se mund të kem humbur. Vizitorët prej jashtë rajonit shumë rrallë shkojnë në Point Roberts, transmeton Koha Ditore.
Por arsyeja e ardhjes sime është pikërisht ky vend: një copë e vogël territori amerikan, që është e lidhur me Kanadanë, por fizikisht e ndarë nga pjesa tjetër e SHBA-së. E pazakonta gjeografike e këtij vendi është se ai në esencë përbën një komunitet të mbyllur, të ruajtur prej Departamentit amerikan të Sigurisë së Brendshme.
Prania e tij tregon se si një marrëveshje, në dukje e thjeshtë diplomatike, mund të ketë ndikim të thellë në përditshmëri, shumë shekuj më vonë.
Kur u vendos kufiri SHBA-Kanada, në paralelen e 49-të në veri, më 1846, ai ndante në dysh një gadishull kanadez, duke e lënë një pjesë të SHBA-së në cepin e poshtëm, rreth 25 milje në jug të Vancouverit.
Gjeografët e quajnë enklavë, pjesë e shtetit në të cilën mund të mbërrish vetëm nëse kalon nëpër një shtet tjetër. Me përjashtim të disave që mbërrijnë me aeroplan privat apo barkë, secili që vjen në këtë komunitet amerikan mbërrin përmes Kanadasë.
Historiani lokal, Mark Swenson thotë se Point Roberts nuk ishte lëshim i pavëmendshëm.
Ruajtja e kësaj toke i siguronte SHBA-së të drejta të rëndësishme për peshkim, tregon ai, ashtu si edhe një pikë të rëndësishme strategjike në veriperëndimin e Paqësorit. Për dekada, ky vend ishte mbajtur si pikë ushtarake, por më 1908, SHBA-ja ua dha tokën kolonëve, që kryesisht ishin imigrantë islandezë. Më shumë se 30 vjet më parë, presidenti i Islandës i nderoi këta banorë të parë, duke ua kushtuar një përmendore në varrezën më të vjetër të komunitetit.
Sot Point Roberts është komunitet rural, në të cilin jetojnë gati 1.300 banorë. Është vend me pak semaforë, edhe me më pak shitore dhe shumë pak gjëra të tjera.